Një shqiptar është dënuar me gati 8 vite burg në Britani pasi u kap duke futur ilegalisht 21 emigrantë në vend me një jaht luksoz me vlerë 70 mijë paund, të cilin e kishte marrë me qira.
Bëhet fjalë për 44-vjeçarin Bledar Bega, i cili drejtonte një jaht 7 metra të gjatë me emrin “Tacoma” në drejtim të brigjeve jugperëndimore të Anglisë, kur u ndalua nga forcat kufitare më 13 prill. Nën kuvertën e mbushur plot, u gjetën 20 burra dhe një grua në kushte të rrezikshme.
Bega u dënua nga Gjykata e Truros me 7 vite e 10 muaj burg pasi pranoi fajësinë për trafikim njerëzish. Dy shqiptarë të tjerë, Florjand Lika, 30-vjeç dhe Romeo Zani, 32-vjeç, që kishin paguar për të hyrë sërish ilegalisht në Britani pasi ishin deportuar më herët, u dënuan me nga 12 muaj burg secili.
Jahti ishte marrë me qira nga një person me pasaportë austriake në një kompani të rregullt në Francë. Pronari i jahtit, Valery Roue, nisi të dyshonte kur pa përmes pajisjes së gjurmimit se mjeti po largohej nga ujërat franceze drejt Cornwall-it dhe njoftoi autoritetet britanike.
Pas këtij rasti, autoritetet franceze lëshuan një alarm për të gjitha kompanitë e qirasë së jahteve në zonën e Bretanjës, duke i paralajmëruar për grupet e trafikantëve që mund të përpiqen të marrin mjetet me qira ose t’i vjedhin për të transportuar emigrantë ilegalisht drejt Britanisë.
Sipas autoriteteve, të gjithë emigrantët në bord, përfshirë Likën dhe Zanin, janë ndaluar dhe do të deportohen.
Ben Thomas nga Njësia Hetimore për Emigracionin tha se ky është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm për të goditur rrjetet kriminale që veprojnë në Kanalin Anglez.
Ndërkohë, Ministrja e Sigurisë Kufitare, Dame Angela Eagle, deklaroi se kushdo që përpiqet të fusë njerëz ilegalisht në vend do të përballet me arrestim, ndjekje penale dhe dënim me burg.
Dënimi i Begës vjen në një kohë kur dy shtetas ukrainas janë arrestuar për një tjetër përpjekje për të futur emigrantë me jaht pranë Isle of Wight. Tre shqiptarë dhe një shtetase vietnameze iu dorëzuan autoriteteve të emigracionit. Po ashtu, një tjetër shqiptar, Pellumb Selimi, u arrestua pasi nuk ishte paraqitur në gjykatë për një çështje të mëparshme me drogë.


