Helmuan shqiptarët me ushqime, gjykata nxjerr nga burgu shokët e Skifterit

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 22.07.2025, 16:55

Kanë dalë sot para Gjykatës në Tiranë vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, të arrestuar tre ditë më parë lidhur me skandalin e fabrikës “Master AL” në pronësi të Skifter Taganit, të cilët blinin ushqime të skaduara dhe pasi u ndryshonin datën e skadencës, i hidhnin përsëri në treg.

Agim Domi që ishte administrator i “Master AL” dhe Florenc Domi që ishte magazinjer, qëndruan vetëm tre ditë në qeli për kushedi sa ton ushqime të skaduara u shitën shqiptarëve. Gjykata vendosi sot të ndryshojnë masën e tyre të sigurisë, duke i lënë me “arrest shtëpie”, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, të parashikuar nga nenet 288/1 i Kodit Penal.

Në gjyq ata i kanë mohuar akuzat, duke thënë se produktet nuk ishin të destinuara për t’u tregtuar, por do të asgjësoheshin kur të krijoheshin kushtet.

Nga ana tjetër Skifter Tagani, që është pronari i “Master AL” dhe truri i të gjithë këtij mekanizmi që ka helmuar shqiptarët, bashkë me magazinjeri 58-vjeçar me inicialet A. D., nuk u arrestuan fare, por vetëm u proceduan penalisht.

Hetimet zbuluan se në këtë fabrikë që kishte si aktivitet import-eskportin dhe tregtimin e produketev industriale dhe ushqimore, grumbulloheshin produkte të skaduara në tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan. Më pas këtyre produkteve u falsifikohej data e skadencës dhe hidheshin përsëri në treg.

Policia sekuestroi me dhjetëra kg mallra të skaduara brenda fabrikës që ndodhet në Vorë, ndërsa siç duket spektakli i aksionit të disa ditëve më parë, përfundoi duke i dënuar me dënime të papërfillshme organizatorët e këtij ‘helmimi kombëtar’.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit