A bëhet Shqipëria me Lapajn dhe Shabanin që luftojnë për karrige?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.07.2025, 12:43

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” është përfshirë në një sherr, ku Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani janë dy protagonistët kryesorë që po luftojnë më shumë për karrige sesa për të ndryshuar politikën shqiptare, ashtu siç e shitën veten para zgjedhjeve, kohë kur nuk vinte era pushtet. Pasi mollë e sherrit u bë daja i Shabanit, Lapaj që dje kërkonte dorëheqjen e kandidatëve të listës së mbyllur në mënyrë që të bëhej ai deputet, sot Lapaj deklaroi dorëheqjen duke shitur kështu veten si një njeri që mban premtimet.

Në këtë koalicion që garoi në zgjedhjet për Kuvend si një ndryshim rrënjësor i politikës shqiptare, sot ka sherre, akuza për mashtrim e pabesi dhe premtime të pambajtura. Nga njëra anë kemi Lapajn që akuzon Shabanin për shkelje të marrëveshjes duke e ftuar atë të japë dorëheqjen njësoj si ai dhe mandati të kalojë tek një kandidate femër, Greta Ambeli. Lapaj thotë se Shabani po përdor mandatin dhe dajën e tij Zeqo për interesa personale dhe për t’i dhënë kontroll qeverisë Rama. Nga ana tjetër kemi Shabanin i cili është irrituar me Lapajn dhe i kujton atij se fjalët e dhëna nuk i ka mbajtur vetë ai si kryetar, ndaj të mos pretendojë t’i mbajnë anëtarët e tjerë të koalicionit. Shabani akuzon Lapajn për sjellje të pabesë, duke theksuar si ai ka dy standarde dhe ecën me shprehjen “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë!”

Në fund, në këtë sherr brenda nismës që nuk u bë kurrë, arrihet në një konkluzion të vetëm që të dy politikanët janë të kapur në një rrjet të ndërlikuar fjalësh dhe premtimesh të thyer, ku politika e “Nismës Shqipëria Bëhet” po shndërrohet në një shfaqje ku askush nuk po mban fjalën. Aroma e pushtetit dhe përpjekja për të mbajtur sa më shumë mandate ka bërë që koalicioni të kalojë nga një lëvizje për ndryshim në një tragjedi të politikës shqiptare, ku premtimet nuk janë asgjë më shumë se një dokument i nënshkruar që nuk ka asnjë vlerë në praktikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit