“Golden Dental & Aesthetic” përdorte preparate të skaduara, dy dentistë të arrestuar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.07.2025, 10:17

Administratori dhe stomatologu i klinikës private "Golden Dental & Aesthetic" në Tiranë janë arrestuar për përdorimin e preparateve dhe materialeve dentare të skaduara në shërbimet që ofronin. Ervin Zeka, 40 vjeç, dhe Kejdi Myzyri, 26 vjeç, u arrestuan pas kontrollit të ushtruar në klinikë, ku u gjetën dhe u sekuestruan preparate dhe materiale dentare të skaduara që nga viti 2023.

Këto produkte përdoreshin për terapi, ortodoncë, kirurgji dhe procedura të tjera dentare. Hetimi ka nisur për 12 punonjës të klinikës, ndërsa ndaj Zekës dhe Myzyrit rëndojnë akuzat për prodhimin dhe tregtimin e barnave të falsifikuara ose të rrezikshme, punësim të paligjshëm dhe fshehje të të ardhurave.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria Dentare”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar i DPPSh-së, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë. Kryenin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara, arrestohen administratori i klinikës dentare dhe një stomatolog. Procedohen penalisht 12 punonjës në klinikë. Sekuestrohen preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime, që ishin të skaduara.

Në kuadër të planit të masave për kontrollet në klinika dentare, me qëllim sigurinë e pacientëve që marrin shërbim në këto subjekte, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”.

Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit