Policia e Korçës ka reaguar pas raportimit në JOQ Albania të një shoferi ‘kamikaz’ që në aksin rrugor Korçë-Bilisht bënte parakalime të gabuara dhe për pak sa u përplas me një automjet që po udhëtonte në drejtim të Bilishtit.
Sipas policisë, pas publikimit të pamjeve, ndaj shoferit me inicialet F. N., janë vendosur 56 000 lekë gjobë dhe i janë zbritur 10 pikë nga patenta.
Denoncuesi tha: U fut në parakalim gabim, në kthesë, dhe desh na nxori nga rruga. Erdhi drejt nesh, falë Zotit munda ta mbaja makinën në rrugë ngaqë isha me shpejtësi normale. Filmimi është bërë nga kamera e makinës. Sugjeroj të gjithëve të instalojnë një të tillë në makinë.
Njoftimi i Policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer parakalim të gabuar në kushtet e fushëpamjes së kufizuar, në aksin rrugor "Korçë-Bilisht", bëjmë me dije se:
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë identifikuar drejtuesin e automjetit, shtetasin F. N. Për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 10 të nenit 141, në pikën 16 të nenit 146 dhe pikën 2 dhe 3 të nenit 139, të Kodit Rrugor, ai është ndëshkuar me masën administrative 56 000 lekë, dhe i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.