Zjarri i përmasave të mëdha në malin e Dukatit vazhdon të përhapet për të tretën ditë radhazi, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Pavarësisht përpjekjeve të forcave zjarrfikëse, flakët ende nuk janë vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e tyre.
Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit ditën e sotme, tre zjarrfikës kanë pësuar asfiksim nga tymi dhe janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Fatmirësisht, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Zjarrfikësit janë duke vijuar ‘luftën’ me flakët, por zjarri ka përmasa të mëdha. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit dhe asnjë person nuk është bërë përgjegjës për këtë situatë deri më tani.
Shpesh zjarrfikësit e keqpaguar përballen me situata të vështira të cilat ua vështirësojnë misionin e tyre. Ata vendosin në rrezik jetën për të shpëtuar pronat ose pyjet tona, të cilat në disa raste ndizen nga persona të papërgjegjshëm.