‘Po më vdes babi!’ Si u përpoq ‘Ana’ të mashtronte shqiptarët nëpërmjet JOQ

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 21.07.2025, 13:29

Herë pas here në redaksinë tonë mbërrijnë raste të personave në nevojë, të cilët nëpërmjet nesh kërkojnë ndihmën e shqiptarëve të ndershëm e me zemër të mirë për probleme të ndryshme, duke nisur që nga kurimi i sëmundjeve e deri te nevojat e tjera si për të pasur një strehë të sigurt, ose ilaçe që nuk i gjejnë dot në sistemin shëndetësor, etj.

Rreth dy javë më parë, një zonjë që pretendon se quhet Ana Smuja e cila sipas asaj që thotë jeton në Romë, kërkoi ndihmën e shqiptarëve për babain e saj të supozuar, Mentor Smuja, për të cilin thonte se vuan nga kanceri agresiv në zorrën e trashë, i cili tashmë është përhapur në mushkri dhe mëlçi.

Sipas Anës, për kurimin e babait nevojiteshin 25 mije euro, pasi ai duhet të dërgohej sot në 21 korrik në një spital në Turqi ku do t’i nënshtrohej një ndërhyrje shëndetësore, por mundësitë e saj ekonomike nuk e mbulonin dot këtë shpenzim.

Për këtë Ana kishte vendosur të krijonte një ‘GoFundME’, ku kërkonte ndihmën e shqiptarëve. Ajo kishte arritur të mashtronte disa media, të cilat i kishin besuar dhe e kishin ndarë historinë e saj, bashkë me linkun e ‘GoFundMe’.

Të njëjtin mashtrim u përpoq të bënte dhe me JOQ Albania, duke kërkuar me këmbëngulje që linku dhe historia e saj të shpërndaheshe në rrjetet tona sociale. Por kjo gjë nuk ndodhi.

Ne i kërkuam disa herë intervistë Anës, por ajo nuk pranoi të dalë me fytyrë për të kërkuar ndihmë për babain e saj që aq shumë i dhimbset.

Kur i kërkuam që të na dërgojë foto të babait të saj, ajo na nisi disa foto të gjeneruara nga Interligjenca Artificiale.

Fotoja e kartës së identitetit rezulton të jetë me emër të falsifikuar, të vendosur me program sipër emrit origjinal.

Të gjitha këto veprime na bënë të mendojmë se jemi duke u përballur me një mashtruese që sajon histori, e kushedi sa herë i ka mashtruar shqiptarët.

Kështu JOQ Albania kontaktoi me Policinë e Shtetit, dhe e referoi rastin si një mashtrim publik, në përpjekje që Ana Smuja tentoi t’i bënte Shqiptarëve nëpërmjet nesh.

Ne do të vijojmë të qëndrojmë krah qytetarëve në raste të vështira, e t’i ndihmojmë ashtu sikur kemi bërë gjithë këto vite, por rastet e mashtrimit do vazhdojmë t’i bëjmë publike e të kërkojmë ndëshkim ligjor për organizatorët e tyre.

*Fotoja e profilit në WhatsApp

*Fotoja e mashtrueses gjatë tentativës për të bërë intervistë

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit