Një ditë pas sherrit të dhunshëm që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në clubin “Lolipop” në Palasë, JOQ Albania ka siguruar dëshminë e një prej vajzave që mbetën të lënduara dhe përjetuan gjithë tmerrin e atij momenti.
Në një rrëfim ekskluziv, vajza tregon se sherri ishte i dhunshëm dhe shumë i rrezikshëm, duke shtuar se shumë persona mbetën të lënduar.
“Fatkeqësisht, pati të lënduar dhe përveç dhunës fizike, shumë prej nesh përjetuam frikë ekstreme,” shkruan ajo. Për shkak të frikës, e reja thotë se për pak sa nuk pësoi atak paniku.
“Nuk është e drejtë që kjo situatë të paraqitet thjesht si një “sherr pa pasoja”, ndërkohë që kishte persona të lënduar dhe njerëz të traumatizuar,” shkruan ajo.
Në fotot që kanë mbërritur në redaksinë tonë, duket se si ajo u ça nga xhamat në pjesën e këmbësve, ndërsa ka marrë të nxira në trup nga përplasjet që shkaktoi turma në përpjekje për të dalë jashtë ambienteve të lokalit.
Dëshmia e vajzës:
“Përshëndetje JOQ, dua të ndaj një ngjarje shumë serioze që ndodhi mbrëmë në clubin “Lolipop” në Palasë (GrenCost). Ndodhi një skenë e vërtetë horror mes disa të rinjve, ku pati një sherr të dhunshëm dhe shumë të rrezikshëm. Fatkeqësisht, pati të lënduar dhe përveç dhunës fizike, shumë prej nesh përjetuam frikë ekstreme, unë vetë për pak sa nuk pësoja një atak paniku sepse mendova se jeta ime ishte në rrezik.
Nuk është e drejtë që kjo situatë të paraqitet thjesht si një “sherr pa pasoja”, ndërkohë që kishte persona të lënduar dhe njerëz të traumatizuar. Ishte një ngjarje që nuk mund të kalohet në heshtje apo të relativizohet. Siguria e njerëzve në ambiente publike duhet të jetë prioritet, dhe këto episode duhet të marrin vëmendjen që meritojnë.
Ju lutem ndajeni këtë, sepse shumë persona janë të shqetësuar dhe ndihen të pambrojtur pas asaj që ndodhi. Rast personal, po si ky dhe akoma me keq ishin dhe shume te tjerë.”
Sipas Policisë, sherri nisi për motive të dobëta mes Fatjon Përshpalaj 34-vjeç dhe Xhulio Sorra 31-vjeç. Të dy ata janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishje e qetësisë publike”.

