Banorët e Lagjes nr 14 në zonën e Astirit në Tiranë prej kohësh po jetojnë mes erës së rëndë dhe rrezikut për përhapjen e sëmundjeve infektive, për shkak se në një ndërtim në lagje janë mbledhur pirgje të tëra mbeturinash, për të cilat askush nuk merr masa për t’i larguar.
Pamjet tregojnë qartë gjendjen në të cilën ndodhet zona. Plehrat janë hedhur në katin e parë nëntokë të një pallati në ndërtim, i cili ndodhet në mes të lagjes mes shumë ndërtesave të tjera. Banorët tregojnë se shqetësimin e tyre e kanë adresuar në Bashkinë Tiranë, por përgjigjja që kanë marrë ka qenë negative: Ne nuk mund të ndërhyjmë pasi është objek privat.
Po ashtu problemi është raportuar dhe te Instituti i Shëndetit Publik, por as ky institucion nuk i ka dhënë një zgjidhje situatës.
“Përshëndetje! Ju lutemi shume, a mund ta beni publike kete shqetesim te shume banoreve qe jetojne afer ketij objekti te filluar pa leje ndertimi e te braktisur nga shoqeria Ormars 2000 i ndodhur ne adresen Lagja 14 Astir ,ndermjet rruges Loni Ligori dhe Foto Xhavella.
Objekti eshte denancuar prane institucioneve pergjegjese, si per ndertimin pa leje po ashtu edhe ne Institutin e Shendetit Publik te cilet na drejtuan per ankese te Bashkia Tirane. Bashkia Tirane me ka kontaktuar dhe me ka shpjeguar qe ai eshte objekt privat dhe nuk nderhyjne dot,” shkruan denoncuesi.
Të gjendur në këtë situatë dhe pa asnjë zgjidhje, banorët bëjnë thirrje publike që institucionet të reagojnë dhe të bëjnë heqjen e mbeturinave nga godina. Përveç aromës së rëndë, ata janë të frikësuar dhe për përhapjen e sëmundjeve, në një kohë kur temperaturat atmosferike janë të larta.