Ndërron jetë “Princi i Fjetur” i Arabisë Saudite pas 20 vitesh në koma

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 20.07.2025, 10:17

Një lajm i dhimbshëm ka ardhur nga familja mbretërore saudite: Princi Al-Waleed bin Khaled bin Talal Al Saud, i njohur gjerësisht si “Princi i Fjetur”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pas më shumë se dy dekadash në koma.

Lajmin e konfirmoi i ati, Princi Khaled bin Talal, të shtunën më 19 korrik, përmes një postimi prekës në rrjetin social X. “Me dhimbje dhe trishtim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të birit tonë të dashur, Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë”, shkroi ai, duke bashkëngjitur një fotografi bardhë e zi të të birit, të shtrirë në shtrat spitali me sytë e mbyllur.

Princi Al-Waleed lindi në prill të vitit 1990. Në vitin 2005, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe studionte në një kolegj ushtarak në Londër, ai pësoi një aksident të rëndë automobilistik që i shkaktoi dëmtime të rënda në tru dhe hemorragji të brendshme. Që prej asaj kohe, ai ra në koma dhe qëndroi në atë gjendje për 19 vjet në Qytetin Mjekësor “Mbreti Abdulaziz” në Riad.

Përmes viteve, babai i tij refuzoi të hiqte dorë nga shpresa, duke e mbajtur të birin në aparatura dhe duke ndarë shpesh video apo foto nga shtrati i tij, në momente të veçanta si Ramazani, Fitër Bajrami apo Dita Kombëtare e Arabisë Saudite. Disa prej këtyre pamjeve bënë xhiron e rrjeteve sociale, duke prekur miliona njerëz në mbarë botën.

Ndonëse nuk rifitoi kurrë ndërgjegjen e plotë, princi shpesh shfaqte lëvizje të lehta të gishtërinjve apo duarve, të cilat u interpretuan si shenja reagimi nga familjarët dhe ndjekësit besnikë që e konsideruan historinë e tij një simbol të durimit, shpresës dhe dashurisë prindërore.

Ceremonia mortore e Princit do të mbahet të dielën, më 20 korrik. Vdekja e tij shënon fundin e një epoke të dhimbshme, por edhe të një kapitulli të rrallë njerëzor në historinë e familjes mbretërore saudite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit