Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar së fundmi në Ksamil, ku pronari i një hoteli është dhunuar fizikisht në mes të ditës, në prani të klientëve dhe fëmijëve të mitur. Viktima e dhunës, Albert Pashaj, pronar i Euro Hotel Ksamil, akuzon shtetasin Agim Taraj, i cili sipas tij, ka ushtruar dhunë ndaj tij për herë të dytë brenda një muaji, duke e goditur brutalisht në ambientet e hotelit, para syve të pushuesve.
Në një mesazh dhe video të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, Pashaj denoncon atë që e cilëson si "presion dhe dhunë sistematike" nga Taraj dhe persona të tjerë të lidhur me të. Ai deklaron se ndodhet në spital pas sulmit të fundit dhe thekson se edhe pse është bërë kallëzim për ngjarjen e parë disa javë më parë, asnjë masë nuk është marrë deri më sot nga organet shtetërore. Në video shihet Pashaj i gjakosur pas sherrit të ndodhur së fundmi në Ksamil.
"Ky zoti Agim Taraj, bashkë me një grup personash, ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje në hotelin tim, në momentin kur klientët ishin duke konsumuar mëngjesin. Kjo është hera e dytë që më dhunon dhe autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë. Ndodhem në spital dhe ndjej që jam i braktisur nga shteti.", – thotë Albert Pashaj.
Sipas tij, agresioni ka lidhje me një konflikt për vendosjen e plazhit përballë hotelit. Ai pretendon se ka marrë miratim nga AKB për strukturën akomoduese dhe plazhin, por Bashkia Sarandë nuk ka firmosur kontratën me të, duke favorizuar një tjetër subjekt që – sipas tij – nuk zotëron asnjë hotel apo dokumentacion të rregullt.
Ky konflikt u bë publik disa javë më parë, kur Pashaj denoncoi për JOQ se subjekti tjetër kishte ngritur një bar pa leje para hyrjes së hotelit të tij. Pas këtij denoncimi, Agim Taraj, pronar i "Sunset Restorant – Ksamil", reagoi duke deklaruar se aktiviteti i tij është i rregullt dhe i pajisur me të gjitha dokumentet ligjore.
Por ngjarja e dhunshme që ndodhi së fundmi hedh hije të rënda mbi klimën e sigurisë në zonat turistike, sidomos në kulmin e sezonit. Në video, shihet qartë Albert Pashaj me fytyrë të gjakosur. Ai thekson se ka qenë thjesht duke marrë familjen e tij në plazh kur është sulmuar brutalisht nga Taraj dhe persona të tjerë.
Kjo ngjarje ngre shqetësime serioze për rolin e policisë lokale, pasivitetin e institucioneve dhe mbrojtjen që, sipas akuzuesit, i ofrohet individëve me sjellje të dhunshme dhe presion të vazhdueshëm.