Një nënë ka ndarë publikisht përvojën e saj të dhimbshme me sistemin shëndetësor publik, ku sipas saj, djali 28-vjeçar rrezikoi seriozisht jetën për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor në QSUT.
Ajo tregon se e dërgoi të birin në spital në gjendje të rënduar, me hemorragji të vazhdueshme, tension të ulët, vjellje dhe temperaturë të lartë. Megjithatë për katër ditë me radhë, mjekët vazhduan ta diagnostikonin gabimisht me hemorroide.
“Djali lutej: ‘Po më ndodh diçka, nuk ndihem mirë!’”, rrëfen nëna e tij. Ajo shton se i biri dridhej nga ethet, ndërsa stafi nuk i ofroi as ndihmën më minimale. "Nuk na dhanë as një çarçaf për ta mbuluar. E sollëm vetë batanijen nga shtëpia", thotë ajo.
Gjendja e djalit u përkeqësua të enjten kur humbi ndjenjat. Familjarët, të shqetësuar për jetën e tij, vendosën ta largonin me urgjencë nga QSUT dhe ta dërgonin në një spital privat në Tiranë.
Atje, analizat treguan se hemoglobina i kishte rënë në nivelin kritik, dhe iu deshën 9 qese gjak për ta stabilizuar. U diagnostikua me hemorragji në zorrën e hollë dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati nga ora 23:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Nëna e të riut shpreh falënderime publike për shtatë mjekët e spitalit privat, të cilët jo vetëm u kujdesën profesionalisht për të birin, por u ofruan edhe si dhurues gjaku, duke i shpëtuar jetën.
Ky rast tronditës hedh dritë mbi problemet serioze që përjetojnë qytetarët në spitalet publike, nga diagnostikimet e pasakta, mungesa e përkujdesjes, deri te kushtet minimale të munguara. Për familjen e 28-vjeçarit, ndërhyrja në kohë jashtë sistemit shtetëror ishte vendimtare. Në të kundërt, sot mund të flitej për një tragjedi.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ, po denoncoj një rast skandaloz në urgjencën e QSUT-së. Djali im 28 vjeç për pak humbi jetën nga neglizhenca totale.
U paraqit me hemorragji, tension 8/5, vjellje të zezë e temperaturë, por mjekët 4 ditë me radhë na thoshin: “janë hemorroide, përdor pomadë”. Djali lutej: “Po më ndodh diçka, nuk ndjehem mirë!” askush s’e dëgjonte.
E rikthyem natën në 22:30, djali rrinte i zbardhur dhe i dridhur nga të ftohtit, kërkoi ta mbulonin nuk sollën as një çarçaf. E sollëm vetë batanijen nga shtëpia!
Të enjten i bie të fikët. E çuam në spital privat, hemoglobina 4.6, 9 qese gjak, hemorragji në zorrën e hollë, ndërhyrje kirurgjikale nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Në QSUT desh e humbëm, në privat iu shpëtua jeta. Kan dhen gjak 7 veta nga personeli i spitalit privat, dua ti falenderoj te gjith me rradh per gadishmerin ate dit.