Plas sherri në klubin “Lollipop”, panik dhe të lënduar në mes të koncertit

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 19.07.2025, 07:57

Momente paniku dhe kaosi janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, ku po mbahej një koncert me praninë e shumë qytetarëve dhe të ftuarit special, këngëtarit Yll Limani.

Sipas disa qytetarëve që ndodheshin në ambientet e lokalit, gjithçka nisi pas një sherri mes dy grupeve, i cili degradoi me përplasje fizike dhe dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri. Në kushtet e pasigurisë dhe frikës, stafi i sigurisë largoi këngëtarin nga skena, ndërsa publiku u përfshi nga paniku i plotë.

Të pranishmit tregojnë se njerëzit filluan të vraponin drejt daljeve të emergjencës, duke shtyrë njëri-tjetrin, ndërsa shumë prej tyre rrëzoheshin në tokë apo lëndoheshin nga sendet e thyer në ambient. “Tavolina, gota, shishe u përplasën në dysheme, plagosën njerëz. U pa gjak në dalje, njerëz të prerë nga qelqet,” – raporton një dëshmitar për JOQ.

Sipas dëshmive, disa persona kanë mbetur të plagosur lehtë si pasojë e thyerjeve apo përplasjes me të tjerët në përpjekje për të dalë jashtë. Shumë të pranishëm kanë humbur sende personale, telefona, çanta dhe para. Të gjithë të revoltuar nga mungesa e sigurisë dhe reagimit të vonuar të stafit të klubit.

“Është skandaloze që në një nga klubet më të njohura dhe më të shtrenjta të jugut, në kulmin e sezonit turistik dhe me praninë e të huajve, të përjetohen skena paniku dhe terrori,” shkruan një tjetër qytetar që ka qenë brenda lokalit.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga administrata e klubit apo nga autoritetet. Gjendja e personave të lënduar mbetet për t’u sqaruar, ndërsa nuk dihet ende nëse ka persona të arrestuar apo identifikime të qarta për autorët e incidentit.

Ngjarja ngre shqetësime serioze për sigurinë në mjediset e argëtimit në Shqipëri, veçanërisht në sezonin turistik kur prania e qytetarëve vendas dhe të huaj është e lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit