Sipas një analize të publikuar nga Corriere della Sera, Shqipëria po humbet terren si destinacion pushimesh për turistët italianë. Ajo që dikur shihej si një alternativë ekonomike përtej Adriatikut, sot po përballet me një rënie të dukshme të interesit nga udhëtarët italianë, sidomos nga ata nga rajoni i Puglias.
Michele Viola, drejtues i operatorit turistik Goodays, shprehet se rënia e kërkesës është ndjerë që në fund të sezonit të kaluar dhe është përforcuar edhe më shumë gjatë vitit 2025. “Shumë pak po interesohen për bregdetin shqiptar. Grupi i klientëve që dikur e zgjidhte për çmimet e favorshme, tashmë po orientohen drejt destinacioneve të tjera”, tha ai.
Në të kaluarën, turizmi shqiptar po njihte një rritje prej 30% nga vizitorët italianë, të tërhequr nga peizazhet natyrore dhe kostot e ulëta. Por kjo tendencë ka ndryshuar. Rënia e të ardhurave për familjet italiane ka bërë që zgjedhja për pushime të shndërrohet në një vendim gjithnjë e më të kujdesshëm dhe të arsyetuar ekonomikisht.
“Dikur ekzistonte një raport i mirë mes kostos dhe shërbimit në Shqipëri, por sot ai ekuilibër është prishur. Krahasuar me tre vite më parë, rezervimet tona për Shqipërinë janë më pak se gjysma,” shton Viola. Ndërkohë, operatorë si ai po fokusohen në tregun e udhëtimeve të organizuara drejt vendeve si Egjipti, Dubai apo Spanja, që po rezultojnë më të qëndrueshme financiarisht.
Massimo Salomone, përfaqësues i sektorit të turizmit në Confindustria Puglia, thekson se Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme falë investimeve në infrastrukturë dhe thjeshtimit të procedurave burokratike. Por ai paralajmëron për një gabim të zakonshëm: identifikimin e Shqipërisë vetëm me pushimet “low-cost”. “Cilësia e shërbimeve, transparenca e çmimeve dhe përvoja e përgjithshme turistike kërkojnë ende vëmendje,” thotë ai, duke përmendur ankesat e raportuara nga vetë udhëtarët.
Për Salomone-n, synimi nuk është konkurrenca, por ndërtimi i një partneriteti mes Shqipërisë dhe Puglias, të cilat ndajnë historikisht të njëjtin det dhe një trashëgimi kulturore të pasur. Këto elemente mund të shndërrohen në baza të forta për projekte të integruara, si në turizëm, ashtu edhe në infrastrukturë.
Megjithatë, situata reale ka të bëjë me rritjen e kostove, që po prek direkt shtresën e mesme. Piero Innocenti, zëvendëspresident i Fiavet Puglia, thekson se shumë prej atyre që më parë ishin të gatshëm të toleronin një shërbim më modest në këmbim të një çmimi të ulët, sot nuk e shohin më këtë si të vlefshme: “Nëse dikur çmimet ishin nxitje, tani po ndodh e kundërta. Rritja e tarifave në Shqipëri po dekurajon.”
Kjo prirje nuk prek vetëm Shqipërinë, e njëjta gjë po ndodh edhe me Kroacinë dhe Malin e Zi, ndërsa Greqia vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë në treg.