Një situatë alarmante është filmuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, në lagjen “Skelë”, ku një ambulancë është bllokuar në një rrugicë për shkak të parkimit të çrregullt të automjeteve.
Videoja është dërguar në redaksinë e JOQ menjëherë pas ngjarjes, dhe tregon qartë se ambulanca nuk ka mundur të kalojë për të kryer misionin e saj, pasi rruga është bërë e pakalueshme për shkak të mjeteve të parkuara në të dy anët.
“Ju lutem postojeni që policia të marrë masa,” shkruan denoncuesi. “Kjo ndodh përditë! Nuk kalon dot asnjë makinë, jo më ambulanca që shpëtojnë jetë.”
Pamjet ngrenë shqetësimin e madh për mungesën e kontrollit dhe ndërhyrjes së autoriteteve në situata të tilla, ku parkimi i papërgjegjshëm mund të kushtojë jetë.
Qytetarët kërkojnë ndëshkime për drejtuesit e mjeteve që parkojnë ku t’u teket dhe apel për më shumë reagim nga Policia Rrugore dhe bashkia për lirimin dhe menaxhimin e rrugëve të ngushta në qytet.