Një qytetar nga Tirana ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë absurde që zvarritet prej më shumë se dy vitesh. Siç shihet edhe në foton e dërguar, një automjet pa goma, i ngritur mbi katër kambalecë, qëndron i parkuar në hyrjen e një pallati, duke bllokuar kalimin dhe duke u kthyer në shqetësim serioz për banorët.
Mjeti ndodhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në kryeqytet, por pavarësisht afërsisë me institucionet shtetërore, askush nuk ka ndërhyrë për ta zhvendosur.
Qytetari shprehet se banorët kanë njoftuar disa herë Policinë Bashkiake dhe Policinë Rrugore, por nuk është marrë asnjë masë, as gjobë, as verifikim, as heqje e mjetit.
“Skemi ku kalojmë me karrocat e fëmijëve. Hyrja është totalisht e bllokuar. Na kanë thënë që nuk po gjejnë dot pronarin e makinës. Por ne kemi dy vite që jetojmë me këtë stres dhe rrezik para syve”, shkruan banori i revoltuar.
Ky rast tregon jo vetëm mungesën e reagimit nga institucionet përkatëse, por edhe se si qytetarët ndihen të braktisur edhe në situata kaq të thjeshta për t’u zgjidhur.
