Një episod dramatik është regjistruar në një fluturim nga Omaha për në Detroit, ku një i ri shqiptar u përpoq të hapte derën e emergjencës në ajër, duke detyruar pilotin të bëjë ulje urgjente.
Mario Nikprelaj, 23 vjeç, me banim në Nebraska, u identifikua si pasagjeri problematik që krijoi skenat e panikut në bordin e fluturimit 3612 të Delta Connection, të operuar nga SkyWest Airlines.
Sipas autoriteteve, gjithçka nisi pas një sherri verbal mes Nikprelajt dhe një asistenteje të fluturimit. I riu më pas tentoi të hapte derën e avionit, duke shkaktuar alarm te stafi dhe pasagjerët.
Policia e Cedar Rapids ndërhyri menjëherë sapo avioni bëri ulje emergjente në Aeroportin Lindor të Ajovës. 23-vjeçari u arrestua në vend dhe u dërgua në Qendrën Korrektuese të Qarkut Linn. Ai përballet me disa akuza, përfshirë sjellje të çrregullt, sulm fizik, posedim të barnave me recetë dhe ngacmim të shkallës së parë.
Pas incidentit, avioni vazhdoi fluturimin drejt Detroit-it, duke mbërritur me një vonesë prej rreth 90 minutash.
Autoritetet amerikane pritet të zbardhin më shumë detaje mbi motivet dhe gjendjen psikologjike të të arrestuarit, ndërsa mediat vendase i kanë dhënë ngjarjes jehonë të gjerë.