“Gjetën Amerikën”, rasti i motrave Ristani në pushtet e borde publike

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 18.07.2025, 18:09

Në Shqipëri, lufta ndaj korrupsionit është vetëm në letra, ndërsa të njëjtët emra vazhdojnë të mbulojnë çdo bord e institucion publik, pa ndalur përfitimet

Në Shqipërinë e varfëruar, ku mungojnë barnat për të sëmurët dhe uji për qytetarët, ka gjithmonë vend për të njëjtët mbiemra në çdo bord e forum publik. Kështu ndodh edhe me familjen Ristani. Një lajm që qarkullon tregon se Adriana Ristani, e njohur për mbajtjen e disa posteve publike, ishte larguar nga Bordi i Administrimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Shkaku? Motra e saj më e vogël, Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, e cila pas burgosjes së Veliajt, ka marrë frenat e bashkisë.

Në vend që të diskutojmë për rritjen e transparencës apo ndëshkimin e abuzimeve me pushtetin, debati përqendrohet tek lëvizja e një motre nga një bord në një tjetër. Në këtë vend ku çdo shërbim publik është në krizë, borde të shumta e forume “ekspertësh” mbeten monopol i disa familjeve të lidhura me pushtetin.

Emri i Adriana Ristanit del kudo në dokumentet zyrtare. Ajo ka mbajtur një sërë rolesh të njëkohshme: përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit në Bordin e UPT-së, anëtare në Bordin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, eksperte antikorrupsion, drejtoreshë në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe paneliste në aktivitete financiare krah institucioneve kryesore të vendit.

Por përtej këtyre pozicioneve publike, ekziston edhe një listë e gjatë rolesh joformale që shtojnë dyshimet për përfshirje në një sistem të mbyllur klientelist. Dhe pyetja logjike që shtrohet është: Si arrin dikush të mbulojë kaq shumë detyra njëkohësisht?

Karriera e saj e kaluar ngre gjithashtu pikëpyetje. Në vitin 2016 ka qenë drejtore e FSDKSH-së, më pas drejtore e Spitalit "Mbretëresha Geraldinë", për të kaluar si këshilltare dhe më pas drejtuese në AMF. Çdo hap në karrierën e saj ka kaluar pa konkurrencë, me ndërrime të shpejta dhe të pandalshme pozicionesh.

Konflikti i interesit është i qartë. Një funksionare e Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare që përfaqëson njëkohësisht edhe Ministrinë e Arsimit në borde të universiteteve publike, sfidon jo vetëm etikën administrative, por edhe ligjin. Dhe ndërkohë, ajo shpallet si eksperte e luftës kundër korrupsionit.

Në një vend të mbushur me studiues, pedagogë dhe ekspertë të diasporës, është e çuditshme si nuk gjendet askush tjetër për të marrë pjesë në këto borde e forume, përveç të njëjtëve emra që qarkullojnë vazhdimisht.

Ristani është tashmë simboli i një sistemi ku nepotizmi nuk është më incident, por metodë qeverisjeje. E kur këto figura marrin përsipër edhe “reformat” kundër korrupsionit, e gjithë përpjekja kthehet në ironi.

Në Shqipëri, lufta ndaj çadrave pa leje dhe shitësve ambulantë bëhet përditë, ndërsa lufta ndaj abuzimeve me karrierën publike hesht. Ndërkohë, motrat Ristani përfitojnë rreth 20 mijë euro në muaj nga taksat e shqiptarëve, pa llogaritur benefitet, makinat e shtetit apo të ardhurat e tjera që rrjedhin nga bordet e pafundme ku emri i tyre shfaqet.

Në fund, kjo nuk është histori suksesi femëror, por portreti i një sistemi që sillet rreth një rrethi të mbyllur me mbiemra të ricikluar. Një sistem që promovon vetveten dhe përjashton pjesën tjetër të shoqërisë nga vendimmarrja publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit