Tirana mbulohet nga betoni ndërsa qytetari i zakonshëm rron me ndihma, përjashto ata që mbijetojnë përmes kriminalitetit dhe drogës.
Në Shqipëri, ndërtuesit e pasur shpërblehen me leje për kulla shumëkatëshe, ndërsa qytetarët e zakonshëm numërojnë monedhat për të mbushur frigoriferin. Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi për elitat, ku çdo kullë e re simbolizon ndarjen e thellë midis të pasurve dhe të varfërve. Kryeministri Edi Rama, përmes KKTU-së, ka transformuar kryeqytetin në parajsë për ndërtuesit e lidhur me interesa të dyshimta.
Rasti më i fundit tregon se si Alban Bitraj, një ndërtues që pak muaj më parë iu konfiskua një pallat 9-katësh pa leje në rrugën “Kont Urani”, tashmë është “shpërblyer” me një leje për një përbindësh 30-katësh në zonën e Astirit. Leja për këtë godinë të re është miratuar nga KKTU, në një zonë ku përveç ndotjes akustike e kaosit urban, mbizotëron varfëria strukturore.
Ndërtimi do të realizohet bashkë me ndërtuesin tjetër, Arben Muçobega, i favorizuar gjithashtu nga qeveria në projekte të tjera në jug të vendit si Himarë, Llaman dhe Dhërmi. Ndërkohë, shumica e shqiptarëve përballen çdo ditë me mungesën e një apartamenti minimal, ose detyrohen të largohen nga vendi për të mos jetuar në mjerim.
Projekti 30-katësh, sipas vendimit të KKTU-së, do të ndërtohet në një zonë të urbanizuar për banim dhe shërbime. Por për qytetarin e thjeshtë, kjo s’është veçse një përbindësh i betonizuar që mbulon horizontin e shpresës. “Dinamizmi arkitektonik” që përmendet në dokumente zyrtare nuk hahet, dhe nuk përkthehet në jetë më të mirë për ata që mezi mbajnë frymën gjallë me pagë minimale.

Nëse ka ndonjë që përfiton nga zhvillimi urban, janë vetëm ata që qeveria i sheh si partnerë – ndërtuesit që dje ndërtonin pa leje, sot bekohen me kulla. Shqipëria është kthyer në një vend ku e ardhmja ndërtohet vetëm për të pasurit, ndërsa të tjerët jetojnë në pasiguri të përhershme dhe varfëri të thellë.
Kjo është Shqipëria e 2025-ës: ku kush ka para, ka leje; kush s’ka, ka vetëm faturat për të paguar dhe kafshatën për të llogaritur. Në këtë realitet të shformuar, qeveria ka ndërtuar një ferr urban për shumicën dhe një parajsë të betonizuar për pakicën. Një vend ku betoni ngrihet mbi rrënojat e dinjitetit qytetar.