Presidenti Begaj përfshihet në skenarë të dyshimtë për kontrollin e mandateve në Kushtetuese, me shenja të qarta ndikimi dhe abuzimi politik.
Një raport i freskët nga Komisioni Europian për vitin 2025 i ka dhënë një “dush të ftohtë” institucioneve shqiptare për krizën e mandateve në Gjykatën Kushtetuese. Në përpjekje për të mbuluar rolin e tyre në këtë kaos institucional, Presidenti Bajram Begaj dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kanë nisur një fushatë justifikuese përmes deklaratave të sajuara dhe shkrimeve të porositura në media.
Sokol Sadushi zgjodhi të vetëmbrohej publikisht përmes një interviste në RTSH, ku mohoi çdo përgjegjësi për krizën, por dokumentet zyrtare e ekspozojnë si nxitës kryesor të saj. Ai hodhi poshtë çdo pretendim për përçarje me Kushtetuesen dhe fajësoi këtë të fundit për bllokimin e çështjeve. Të gjitha këto deklarata bien ndesh me të vërtetën e faktuar në shkresat që vetë Sadushi ka firmosur si drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ndryshe nga Sadushi, Presidenti Begaj nuk doli në publik. Ai zgjodhi një strategji më të heshtur, duke shpërndarë artikuj të porositur nga zyra e tij, për të mohuar çdo përfshirje në krizë. Në këto shkrime, pretendohet se kërkesa e tij ndaj Kushtetueses kishte si qëllim interpretimin e mandateve të gjyqtarëve, jo ndërprerjen e tyre. Por dokumenti i firmosur nga vetë Begaj më 31 janar 2025 i drejtohet qartë Kushtetueses për “deklarimin e mbarimit të mandatit” të gjyqtares Sonila Bejtja – një veprim që tejkalon çdo funksion të një interpretimi formal.

Në vend që të respektojë dekretet e paraardhësit të tij, Ilir Meta, që përcaktonin mandatin e Bejtjas si nëntëvjeçar, Begaj ka zgjedhur të kërkojë ndërhyrjen e Kushtetueses. Kjo përpjekje për të imponuar një skenar të ri në trupën gjyqësore përputhet me interesat e Sadushit, i cili sipas burimeve pritet të emërojë tre gjyqtarë të rinj në Kushtetuese – një veprim që forcon kontrollin e tij institucional dhe mund të shërbejë si monedhë influencuese.
Shtyrja e këtij plani ngre dyshime serioze për motive të tjera të Begajt. Mund të jenë përpjekje për të siguruar favore në Gjykatën e Lartë apo për të ushtruar ndikim personal mbi emërimet. Në të dy rastet, ai është bërë pjesë aktive e një loje të errët që minon themelet e shtetit të së drejtës dhe Reformës në Drejtësi të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Nëse Begaj do të kishte realisht shqetësim për mandate të papërcaktuara, ai do të kishte shfuqizuar dekretet ekzistuese. Por duke shmangur këtë rrugë ligjore dhe duke u përfshirë në lëvizje të fshehta me Sadushin, ai ka vënë veten në rolin e një presidenti që përdor institucionin për interesa të dyshimta.
Për ironi, Parlamenti – përfaqësuar nga Elisa Spiropali – ka vepruar më saktë në interpretimin e Kushtetutës, duke njohur mandatin e plotë të gjyqtares Elsa Toska dhe duke nisur procedurat për zëvendësimin e saj. Kjo përplasje me qëndrimin e Begajt nxjerr në pah qartë devijimin e këtij të fundit nga rruga kushtetuese dhe përfshirjen e tij në një projekt të rrezikshëm që sfidon rendin institucional.
Rasti i Begajt është një paralajmërim për kapjen graduale të Gjykatës Kushtetuese nga aleanca të fshehta që nuk përfaqësojnë më interesin publik, por interesa të ngushta politike dhe personale. Presidenti i Republikës është sot jo garant i Kushtetutës, por një ndër aktorët që e deformon atë me vetëdije.