Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur një bisedë të përgjuar që vë në qendër të hetimeve një nga funksionarët më të lartë të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Lindita Skeja, punonjëse e këtij institucioni, ka implikuar drejtpërdrejt kryetarin Jonaid Myzyri në një aferë abuzimi me tenderin për mirëmbajtjen e një segmenti rrugor prej 58.7 kilometrash: “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”, me vlerë 2.3 milionë euro.
Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte ushtruar ndikim të paligjshëm mbi anëtarët e KPP-së në shqyrtimin e ankesave për procedurat e prokurimit. Më 24 qershor, SPAK zyrtarisht e mori të pandehur, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Një nga elementët kyç në dosjen hetimore është përgjimi i Lindita Skejës, e cila në një bisedë telefonike shpreh pakënaqësinë për faktin që kishte nënshkruar dokumente sipas urdhrit të Myzyrit dhe tani duhej të përballej me hetimin.
“Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu… firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata”, dëgjohet të thotë Skeja në përgjimet e SPAK.
PËRGJIMET
Speaker A (Lindita): Ai na majti kshu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij…ene rrimë të qetë. N’a ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.
Speaker B: Hej zot!
Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.
Speaker B: A mos i hongert o Zot.
Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas
Speaker A (Lindita): Amin…ata hop mrap ere… hop mrapa… hop mrapa me e çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…
Speaker B: Pi hiç ere un sve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, këto biseda hedhin dyshime serioze mbi mënyrën si është trajtuar ankesa për tenderin me fond limit mbi 219 milionë lekë pa TVSH. SPAK nënvizon se vendimmarrjet e KPP-së në këtë rast, por edhe në të tjera, mund të jenë ndikuar nga veprime të kundërligjshme.
Prokurori i çështjes, Elvin Gogaj, në kërkesën për masën e sigurisë ndaj Myzyrit në GJKKO, argumenton se ekziston rreziku i ndërhyrjes në prova apo tek persona ende të pahetuar. Ndaj kreut të pezulluar të KPP-së është vendosur masa “detyrim paraqitje”.