Mirësevini në Shqipëri: Tarifa qindra paund e SMS-së për britanikët në Korfuz

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 18.07.2025, 12:34

Pushuesit britanikë në Korfuz po përballen me tarifa të larta roaming-u për shkak të sinjalit të fortë celular nga Shqipëria që aktivizohet pa paralajmërim.

Pushuesit britanikë që kanë zgjedhur Korfuzin këtë verë janë befasuar nga një mesazh i çuditshëm në telefon sapo kanë zbritur në aeroportin e ishullit grek: “Mirë se vini në Shqipëri”. Ky njoftim, që në pamje të parë duket si gabim teknik, ka sjellë më pas fatura të kripura për shërbimet celulare, në disa raste me qindra paund.

Sipas “Daily Mail”, problemet kanë lindur nga sinjalet e forta të rrjetit shqiptar që arrijnë deri në ishullin grek për shkak të afërsisë me Ksamilin, vetëm 48 kilometra larg. Disa turistë, duke përdorur telefonin për navigim apo rrjete sociale, janë lidhur automatikisht me rrjetin shqiptar pa e kuptuar, duke u përballur më pas me tarifa roaming-u shumë më të larta nga ato të zakonshmet në Greqi.

Një punonjës i tabloidit britanik, që kaloi pushimet në Korfuz, ndau përvojën personale dhe publikoi mesazhin automatik që kishte marrë: "Thirrjet, mesazhet dhe të dhënat në Shqipëri tarifohen jashtë paketave standarde. Çmimi arrin deri në 1.50 paund për megabyte dhe 0.60 paund për një mesazh."

Për të shmangur shpenzimet e tepërta, operatorët kanë vendosur një kufi maksimal prej 45 paundësh për të dhënat në roaming, por shumë pushues nuk janë të informuar për këtë limit dhe përfundojnë me fatura që kapin vlerat e 100 deri në 300 paund.

Disa prej turistëve e kanë denoncuar përvojën në rrjetet sociale. Steve Moore nga Chesterfield tregon se pas një telefonate 45 minutëshe me operatorin, mësoi se telefoni i tij ishte lidhur me një antenë shqiptare. Një tjetër turist u ankua se gjatë një xhiroje me kuad kishte shpenzuar 128 paund vetëm për navigim me Google Maps, ndërsa një përdorues tjetër u përball me një faturë 298 paund sapo u kthye në shtëpi.

Për të shmangur këtë situatë absurde, këshillohet që turistët të çaktivizojnë roaming-un përpara nisjes, të zgjedhin manualisht një rrjet grek dhe të mos e lënë përzgjedhjen automatike të rrjetit aktiv në telefonat e tyre. Përndryshe, një selfie pranë detit në Korfuz mund të kushtojë më shumë se vetë bileta e udhëtimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit