Faturat që varfërojnë: mungesë transparence dhe abuzim me kamatëvonesat e energjisë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 18.07.2025, 11:31

Qytetarët paguajnë miliona euro në kamatëvonesa, për shkak të një sistemi faturimi kaotik dhe online që nuk funksionon në praktikë

Shteti shqiptar ka dështuar të krijojë një sistem të drejtë dhe efikas për menaxhimin e pagesave të energjisë elektrike. Si rezultat, qytetarët janë zhytur në një spirale borxhesh të akumuluara, ku vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, ata kanë paguar rreth 3 milionë euro vetëm në kamatëvonesa.

Kjo shifër tronditëse është produkt i një sistemi faturimi të rrëmujshëm dhe të paqartë, ku qytetarët shpesh nuk e dinë as kur dhe sa duhet të paguajnë. Sipas të dhënave të vetë OSHEE Group, rreth 1.36 milionë fatura janë penalizuar për pagesë me vonesë në periudhën janar-prill, një tregues i qartë se problemi është sistematik dhe jo individual.

Sistemi online i pagesave, që në teori duhet të ndihmonte qytetarët, është kthyer në një pengesë më shumë. Shumë përdorues ankohen për vështirësi teknike, mungesë informacioni dhe pamundësi për të ndjekur situatën e tyre të pagesave në kohë reale. Kjo çon automatikisht në gjoba të padrejta dhe të pamerituara, që rëndojnë xhepin e qytetarit.

Ndërkohë, OSHEE vazhdon të mbledhë borxhet e prapambetura përmes aktmarrëveshjeve që janë vendosur si “zgjidhje” për konsumatorët familjarë dhe bizneset. Këto marrëveshje i detyrojnë qytetarët të paguajnë me këste për vite të tëra, duke e mbajtur popullin të lidhur me zinxhirin e borxhit institucional.

Në fund të prillit, shifra e përgjithshme e arkëtimeve të Furnizuesit të Shërbimit Universal arriti në 270 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe të ardhurat nga penalitetet dhe faturimet e dyshimta, ndërkohë që eficienca reale e mbledhjes së pagesave vlerësohet në 96% — një përqindje që nuk pasqyron realitetin e mijëra familjeve që ndihen të mashtruara.

Një tjetër detaj shqetësues është se nga 4.1 milionë fatura të emetuara në këtë periudhë, 1.2 milionë janë lëshuar pa lexim real të energjisë. Kjo tregon jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe tendencën për të faturuar sipas hamendjes, çka është një padrejtësi e pastër financiare për konsumatorin.

Në këtë rrëmujë, qeveria vazhdon të heshtë. Askush nuk merr përgjegjësi për një sistem që i zhvat qytetarët në emër të “detyrimeve ligjore”. Ndërkohë, mijëra familje shqiptare po paguajnë çmimin e paaftësisë shtetërore dhe mungesës së një shërbimi të ndershëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit