Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar gjendjen e mjerueshme në të cilën janë katandisur varrezat e fshatit Petrushë në Maliq.
Denoncuesi që kishte shkuar për të vizituar të afërmit e tij që kanë ndërruar jetë, ka mbetur i shokuar me gjendjen në të cilën është lënë ky vend. “Nuk ka një rrugë ku të kalosh dhe varrezat janë bërë shtëpi për gjarpërinjtë”, thotë qytetari.
Në pamje mund të shihet qartë se bari dhe ferrat kanë mbuluar pllakat e varrezave. Bashkia Maliq që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre nuk ka marrë asnjë masë, duke lënë vendprehjen e të ndjerëve në këtë gjendje, ku nuk bën asnjë dallim nga një livadh i zakonshëm.
“I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të reagojnë menjëherë. Ky është një detyrim moral dhe qytetar,” shkruan ndër të tjera denoncosuesi.
Mesazhi i plotë:
Skandal në varrezat e fshatit Petrushe, Maliq!
Po ndajmë me ju disa pamje tronditëse nga varrezat e këtij fshati, të mbuluara nga barërat e egra, plot me mbeturina, dhe tërësisht të braktisura nga çdo kujdes institucional. Nuk ka asnjë rrugë kalimi, është bërë shtëpi për gjarpërinj dhe rrezik për çdo njeri që guxon të vizitojë të afërmit e tyre.
Është e turpshme dhe e dhimbshme që të nderuarit tanë të prehen në një vend ku askush nuk kujdeset, dhe ne të kemi frikë t’u afrohemi varreve të tyre nga ferrat dhe rrëmuja që mbizotëron.
I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të reagojnë menjëherë. Ky është një detyrim moral dhe qytetar. Ju lutemi ndajeni këtë problem sepse shpesh media mbetet e vetmja mënyrë për të tundur ata që janë në gjumë!
Ju faleminderit dhe ju urojmë gjithë të mirat!