Policia e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe Prokurorinë, ka dokumentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur më 17 korrik 2025, në një lokal në lagjen nr. 3, ku dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri. Si rezultat i hetimeve, u shpallën në kërkim katër shtetas, mes tyre Ramdan Zotot 43 vjeç, i dyshuar për tentativë vrasjeje, si dhe tre persona të tjerë që akuzohen për përkrahje të autorit të krimit. Konflikti, që nisi për motive të dobëta, degjeneroi në përleshje fizike.
Dy të rinj nga Kamza, Gëzim Hoxhaj dhe Ernest Lama, mbetën të plagosur pas një konflikti për pronë me vëllezërit Ramadan dhe Erjon Canaj në Sarandë. Ngjarja ndodhi pas një takimi për sqarimin e kufijve të tokës përgjatë vijës bregdetare. Njëri prej vëllezërve Canaj dyshohet se qëlloi me armë ndaj të rinjve, të cilët u transportuan në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Dy vëllezërit Canaj, tashmë në kërkim, kanë precedentë penalë. Ramadan Canaj ka qenë i dënuar për vrasje në Greqi dhe është në proces gjyqësor në Shqipëri, ndërsa Erjon Canaj është përfshirë më herët në episode dhune dhe armëmbajtje pa leje. Në vendngjarje u gjet një armë brenda një çante dhe katër gëzhoja. Vijon puna për kapjen e autorëve.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë në zotërim të G. H., i cili u arrestua në flagrancë për armëmbajtje pa leje. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan katër gëzhoja, një pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë. Hetimet vijojnë me intensitet për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.