Besua i Gramshit “lajthit” nga trutë, blen goma makinash për 23 milionë lekë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.07.2025, 21:49

Një tjetër rast i dyshimtë abuzimi me fondet publike vjen nga Bashkia Gramsh, e drejtuar nga Besion Ajazi. Autoriteti kontraktues ka zhvilluar një tender me objekt “Blerje gomash për automjetet e bashkisë për vitin 2025”, një procedurë që sipas të dhënave zyrtare është realizuar me një fond limit prej 2,327,253 lekësh të reja.

Fitues i këtij tenderi është shpallur kompania “CompiTel”, në pronësi të Eriselda Muçës, e cila ka ofruar një vlerë prej 1,903,000 lekësh pa TVSH, që e përkthyer në shifra të vjetra arrin në rreth 23 milionë lekë me gjithë TVSH-në. Diferenca nga fondi limit është minimale, pasi oferta përfaqëson rreth 81.7% të shumës së parashikuar, një përqindje që zakonisht ngre dyshime për mungesë gare reale dhe për tenderë që janë ndarë paraprakisht “nën dorë”.

Edhe pse tenderi është zhvilluar me procedurë të hapur, në dokumentacion vihet re se kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, çka tregon për një konkurrencë të cunguar dhe një garë thuajse formale. Ky fakt përforcon më tej dyshimet për një proces të manipuluar në funksion të fituesit të paracaktuar.

Por ajo që e bën këtë tender të dalë krejtësisht nga logjika ekonomike dhe praktike është fakti se janë blerë njëherësh plot 104 goma për vetëm 23 automjete që zotëron bashkia. Kjo do të thotë se secili mjet do të pajiset me goma të reja, duke lënë të kuptohet se për bashkinë e Gramshit, të gjitha automjetet paskan pasur nevojë urgjente për ndërrim gomash njëkohësisht, sikur të ishin planifikuar për të marrë pjesë në ndonjë garë rally.

Vlera totale prej 23 milionë lekësh të vjetra për disa goma të makinave shkon përtej çdo norme logjike dhe lë vend për dyshime serioze mbi fryrjen artificiale të çmimeve dhe abuzimin me fondet publike.

Në një kohë kur qytetarët e Gramshit përballen çdo ditë me mungesë shërbimesh bazë, rrugë të dëmtuara dhe infrastrukturë të mjerueshme, kryetari i bashkisë duket se ka zgjedhur të investojë në... goma makinash. Dhe jo pak, por në sasi e çmime që duken qartazi të pajustifikueshme.

Tenderi me numër reference REF-51487-06-17-2025 është një shembull i pastër i mënyrës se si mund të shpërdorohen paratë publike në mënyrë të heshtur, por efektive, përmes procedurave që në letër duken të rregullta, por në përmbajtje janë të ngarkuara me erë vjedhjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit