Një shqiptar që jeton dhe punon në Gjermani ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të denoncuar një rast mashtrimi që lidhet me një faqe në Facebook, e cila paraqitej si një agjenci për njohje serioze për qëllime martesore.
Ai tregon se kishte rënë në kontakt me këtë faqe, pasi ishte i interesuar të njihte një vajzë për një lidhje serioze. Personi që qëndronte pas faqes i premtoi se, pas një regjistrimi me pagesë, do i dërgonte kontaktin e vajzës së përzgjedhur nga ai. Regjistrimi kushtonte 200 euro, dhe dhe përfshinte edhe të dhëna si foto personale, preferenca për moshën e vajzës, vendbanimin etj.
Pas kryerjes së pagesës, qytetarit iu dërgua një numër kontakti i rremë, dhe menjëherë më pas u bllokua si në Facebook ashtu edhe në WhatsApp.
"Jam shumë i mërzitur që rashë pre e këtij mashtrimi. Do ta denoncoj edhe në Polici kur të kthehem në Shqipëri. Uroj që askush tjetër të mos mashtrohet kështu", shprehet ai ndër të tjera.
Denoncimi i plotë:
"Përshëndetje JOQ! Doja të ma bënit një postim nëpërmjet jush për një mashtrim që lidhet me një faqe në Facebook që prezantohej si agjenci martesore. I kam të gjitha me foto. Ky person më mashtroi duke më thënë se, nëse do të bëja pagesën, do të më dërgonte numrin e vajzës që kishte postuar në faqen e tij. Më dërgoi një numër të rremë. Është komplet fallco! Jam shumë i mërzitur për atë që më ka ndodhur me këtë tipin. Do të vij në Shqipëri dhe do ta denoncoj edhe në Polici. Dua që ky tipi të mos mashtrojë njerëz të tjerë si unë. Ju lutem, bëni kujdes nga mashtrimet në internet. Unë u mashtrova së fundmi nga dikush në Facebook dhe humba 200 euro. Më premtuan se do të më jepnin numra telefoni për t’u njohur me një vajzë, por sapo morën paratë, më bllokuan në Facebook dhe në WhatsApp."
JOQ Albania e publikon këtë denoncim si një paralajmërim për të gjithë qytetarët, që të bëjnë shumë kujdes me platformat e dyshimta online që ofrojnë “shërbime” për lidhje martesore në këmbim të pagesave. Shumë prej tyre janë mashtrime të mirëorganizuara që synojnë përfitimin financiar dhe zhduken sapo marrin paratë.



