Zaptimi i rrugës në Kashar nga “Pelikani Security” lë banorët të bllokuar

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 17.07.2025, 15:58

Pronari i “Pelikani Security” ka bllokuar rrugën publike që të çon në pronat e banorëve të Kasharit, ndërsa institucionet heshtin përballë këtij abuzimi flagrant.

Banorët e zonës së Kasharit po përballen me një problem të rëndë që ka vite që vazhdon dhe ende nuk gjen zgjidhje. Rruga e vetme që të çon në pronat e tyre është bllokuar nga një subjekt privat, duke i lënë qytetarët të izoluar brenda territorit të tyre dhe pa akses të lirë në pronë.

Personi përgjegjës për këtë veprim është Vesel Demiraj, pronar i kompanisë private të sigurisë “Pelikani Security”. Sipas banorëve, ai ka ngritur gardh e madje ka vendosur edhe një tra lëvizës në rrugën publike, duke e kthyer këtë zonë në një pronë private të kontrolluar në mënyrë arbitrare.

Kjo rrugë, që sipas dokumenteve ekzistuese është pronë publike, përdorej prej kohësh nga banorët për të hyrë e dalë nga tokat apo shtëpitë përreth. Sot, ajo është e pakalueshme dhe e bllokuar me forcë, ndërkohë që asnjë institucion shtetëror nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur situatën.

Banorët thonë se i janë drejtuar me ankesa dhe denoncime Bashkisë së Tiranës, Policisë së Rendit dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), por asnjë institucion nuk ka reaguar. Mungesa e ndërhyrjes nga autoritetet është kthyer në një akt të dytë abuzimi – heshtja dhe mosveprimi përballë padrejtësisë.

Në një mesazh drejtuar redaksisë së JOQ Albania, banorët kërkojnë ndihmë për të bërë publik këtë problem të rëndë dhe për të ushtruar presion mbi autoritetet për të marrë masa të menjëhershme. Ata theksojnë se janë të braktisur në vendin e tyre dhe se po u mohohet e drejta themelore e qarkullimit të lirë.

Përshëndetje JOQ Albania,

Po ju drejtohem për një problem shumë të madh që ka prekur banorët e zonës së Kasharit dhe që për fat të keq, është injoruar nga institucionet shtetërore, Policia e Rendit, Bashkia, IKMT."

"Vesel Demiraj, pronari i "Pelikani Security", ka zaptuar rrugën publike, e cila është i vetmi kalim për shumë banorë që duan të hyjnë apo të dalin nga pronat e tyre. Ky veprim ka sjellë bllokimin e lirë të qarkullimit dhe ka penguar rëndë të drejtat tona si qytetarë."

"Megjithëse janë bërë shumë denoncime dhe ankesa zyrtare, asnjë institucion nuk ka marrë masa deri më sot. Kjo heshtje dhe mungesë reagimi është e pafalshme. Ju lutem, bëjeni publike këtë problem, sepse jemi të braktisur dhe të bllokuar në vendin tonë."

"Faleminderit për ndihmën dhe zërin që i jepni padrejtësive!"

"Nga cepi i gardhit ku është vendosur kioska dhe deri te trau lëvizës është rruga për pronat përballë. E ka zaptuar me gardh, por është rrugë publike. Kemi dhe dokumenta.” – deklarojnë qytetarët.

Situata në Kashar është një ilustrim i qartë i degradimit institucional dhe i pasojave që sjell mungesa e kontrollit ndaj zaptimit të hapësirave publike. Heshtja e shtetit nënkupton miratim të heshtur ndaj padrejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit