Ujërat e zeza derdhen drejtpërdrejt në det përballë pushuesve, duke ndotur bregdetin dhe përhapur rrezik të madh për shëndetin publik në Golem.
Një pamje tronditëse vjen nga bregdeti i Golemit, ku ujërat e zeza derdhen pa asnjë filtër në det. Pranë vendit të ndotjes ndodhen dhjetëra pushues që notojnë në ujë ose shtrihen në rërë, fare pranë rrjedhës së ujërave ndotëse.
Era e rëndë që vjen nga kanalet e ndotura është e padurueshme, ndërsa prania e papastërtive rrit shqetësimin për përhapjen e sëmundjeve. Turistët ndodhen në një situatë alarmante, teksa rrezikojnë shëndetin pa asnjë paralajmërim ose informacion nga autoritetet.
Pamjet tregojnë qartë rrjedhjen e vazhdueshme të ujërave të zeza drejt detit. Asnjë masë nuk është marrë për t’i ndalur ose devijuar, çka ngre pyetjen: ku janë institucionet përgjegjëse?
"Shiko këtu si janë ujërat e zeza në hotelin në Golem, derdhen të gjitha mu në det. Shiko pushuesit këtu, shiko sa afër janë pushuesit këtu. Erë e çmendur bie, erë e çmendur. Ujërat e zeza këtu, të gjitha ujërat e zeza derdhen mu në det. E gjitha sëmundje, të gjitha sëmundjet këtu janë. Ja ku janë pushuesit, ky është një turp i madh për Shqipërinë. Turp, shikoje, ujërat e zeza. Pu, pu, pu."
Ky skandal higjienik nuk është rast i izoluar, por pasqyrë e mungesës së kontrollit mjedisor në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit. Ndërkohë që Shqipëria përpiqet të promovojë turizmin, imazhe të tilla e minojnë çdo përpjekje dhe dëmtojnë rëndë reputacionin e saj ndërkombëtar.
Pushuesit vendas dhe të huaj, në vend të qetësisë dhe freskisë së detit, përballen me erë të rëndë dhe pamje të neveritshme, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me pritshmëritë e një destinacioni bregdetar.
Është koha që përgjegjësit vendorë dhe kombëtarë të veprojnë me urgjencë. Shëndeti i qytetarëve dhe dinjiteti i vendit nuk mund të sakrifikohen për papërgjegjshmëri dhe mungesë kontrolli.