Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e kalimeve të këmbësorëve në rrethrrotullimin pranë Pallatit me Shigjeta, në afërsi të Fabrikës së Miellit.
Në videon e dërguar, ai tregon qartë sesi qytetarët detyrohen të kalojnë rrugën mes trafikut të dendur dhe makinave në lëvizje, duke vënë në rrezik jetën e tyre, ndërsa efektivët e policisë rrugore ndodhen aty pranë, por nuk ndërhyjnë.
“Këtu s’ka vend kalimi për këmbësorët, urdhëroni si kalojnë nëpër makina. Policët e shikojnë këtë gjendje katastrofike këtu dhe as nuk interesohen fare që të bëjnë një raportim,” thotë qytetari në video.
Ai bën thirrje që të ndërhyhet sa më parë për vendosjen e sinjalistikës rrugore përkatëse, që të mundësohet kalimi i sigurt për këmbësorët dhe të parandalohet ndonjë aksident i mundshëm.
Në denoncimin e tij ai shkruan: “Rrethrrotullimi te pallati me shigjeta ka ngelur pa vija të bardha për kalim këmbësorësh. Asnjë nuk e çan kokën pasi nuk kanë krijuar hapësirë për kalimin e këmbësorëve. Pa tru fare me çudirat e administratës shqiptare.”