Zamo Spathara ka privatizuar Kanionet e Osumit! Ka kthyer rafting në monopol REAGIMI

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 17.07.2025, 15:24

Qytetarë dhe operatorë turistikë kanë denoncuar publikisht Zamo Spatharën, pronar i “Albania Rafting Group”, për veprime të paligjshme në një prej destinacioneve më të rëndësishme natyrore të vendit, Kanionet e Osumit.

Sipas denoncimit të qytetarëve, Spathara ka zaptuar një pjesë të territorit të kanioneve, duke vendosur një portë metalike në rrugën ekzistuese që të çon në fshatin Hambull, rrugë kjo që shërben si pikë hyrjeje për gomone dhe lundrime në lumë.

Ky veprim është konsideruar nga komuniteti lokal dhe operatorë të tjerë turistikë si një bllokim arbitrar i një rruge publike, i kryer në pronë private.

Ndonëse një pjesë e territorit është marrë me qira nga bashkia, ajo ndodhet brenda perimetrit të zonës së mbrojtur, çka e bën çdo ndërtim apo ndërhyrje në atë hapësirë të paligjshme pa miratimin e institucioneve përkatëse. Megjithatë, denoncuesit deklarojnë se Spathara ka ndërtuar një strukturë në këtë zonë, duke shtuar më tej tensionet me operatorët e tjerë turistikë.

Akuzat për monopol dhe presion institucional

Sipas denoncuesve, Zamo Spathara përdor ndikimin e tij për të ushtruar presion sistematik ndaj çdo operatori tjetër turistik që operon në Kanionet e Osumit, përmes kontrolleve të shpeshta nga policia dhe institucionet shtetërore, të cilat akuzohen se, me ose pa qëllim, mbështesin përpjekjet e tij për të krijuar një monopol në zonë. Ndërkohë, ai favorizon operatorë të tjerë të palicensuar dhe pa përvojë në fushën e turizmit aventurier.

Aktivitet i paligjshëm në zonë të mbrojtur?!

Aktualisht, Spathara akuzohet se vijon aktivitetin me turistë në zonën e mbrojtur pa pasur kontratën e nevojshme nga administrata e zonave të mbrojtura për shërbime si river hiking. Gjithashtu, punonjësit e tij rezultojnë të pasiguruar, ndërsa mjetet që përdor janë të papajisura me dokumentacionin e kërkuar nga ligji.

Denoncimi shoqërohet me video të portës së ngritur në rrugë publike, kapanonit të ndërtuar në zonë të mbrojtur dhe pamje nga aktiviteti që zhvillohet pa kontratë ligjore.

Në pritje të një reagimi institucional, komuniteti dhe operatorët turistikë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të rikthyer funksionimin normal të kësaj pasurie natyrore kombëtare.

Në lidhje me denoncimin ka ardhur dhe reagimi i Spatharës.

DENONCIMI

"Përshëndetje JOQ. Shpresoj që ky mesazh t’ju gjejë mirë dhe të kem mirëkuptimin tuaj.

Dua të denoncoj një rast abuziv në lidhje me Zamo Spatharën, i cili është pronar i Albania Rafting Group. Ky person ka zaptuar një pjesë të Kanioneve të Osumit dhe ka vendosur një portë në rrugën ekzistuese që të çon në fshatin Hambull. Kjo rrugë shërben për hyrjen në lumë me gomone, por personi në fjalë e ka bllokuar atë, sikur të ishte pronë private.

Gjithashtu, ai ka marrë me qira nga bashkia një sipërfaqe që ndodhet brenda perimetrit të zonës së mbrojtur, pasi Kanionet e Osumit janë shpallur zyrtarisht zonë e mbrojtur. Pavarësisht kësaj, ai ka ndërtuar një strukturë në atë zonë.

Zamo Spathara përndjek në mënyrë të vazhdueshme çdo tour operator përmes kontrolleve të shpeshta nga policia dhe institucione të tjera, të cilat, me ose pa dashje, mbështesin planin e tij për të krijuar një monopol. Ai gjithashtu favorizon operatorë të tjerë të palicensuar apo pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë.

Aktualisht, ai vazhdon të zhvillojë aktivitetin e tij me turistë në këtë zonë të mbrojtur, pa pasur kontratën përkatëse nga administrata e zonave të mbrojtura për aktivitetin river hiking. Për më tepër, ai angazhon punonjës të pasiguruar dhe përdor automjete të papajisura me dokumentacionin përkatës.

Më poshtë po bashkëngjis video që tregojnë portën, kapanonin brenda zonës së mbrojtur dhe aktivitetin që zhvillon, duke mos pasur lejet e nevojshme.

Shpresoj në mirëkuptimin dhe reagimin tuaj."

REAGIMI

"Të nderuar JOQ, Me keqardhje dhe zhgënjim ju drejtohem pas lajmit të publikuar nga ju, që fatkeqësisht cenon jo vetëm figurën time personale, por edhe një përpjekje 25-vjeçare për të ndërtuar dhe mbrojtur një nga asetet më të rralla të Shqipërisë – Kanionin e Osumit dhe zhvillimin e turizmit të aventurës.

Prej më shumë se dy dekadash kam punuar me pasion dhe përkushtim për të sjellë vëmendjen e publikut vendas dhe të huaj tek thesaret natyrore të Shqipërisë. Kam trajnuar dhjetëra të rinj nga Peshkopia, Elbasani, Berati, Skrapari, Permeti Saranda, Tirana e më gjerë, dhe kam ndërtuar një strukturë bashkëpunimi që ka përfshirë shumë familje në këtë ekonomi të re, të qëndrueshme, që quhet turizëm.

Kam ndjekur një strategji të qartë për ngritjen e ekipeve profesionale dhe standardeve të sigurisë dhe shërbimit, dhe sot, me përulësi, them se faktet flasin vetë. Vetëm këtë sezon kemi trajnuar mbi 40 guida të reja rafting, shumë prej të cilëve kanë hapur bizneset e tyre dhe bashkëpunojmë ngushtësisht me ta. A është ky monopol?

Personi që ju ka dërguar videon, Murat Mamurari, është një individ që dikur e kam trajtuar si djalin tim – e kam marrë i vogël, e kam trajnuar, i kam dhënë dije dhe mundësi. Sot, fatkeqësisht, po përpiqet të më dëmtojë, duke bllokuar rrugën, duke prishur qetësinë e turistëve, dhe madje kemi pasur raste kur na janë dëmtuar magazinat apo janë vjedhur pajisje pune. Kemi bërë denoncime, kemi ndjekur çdo rrugë ligjore.

Unë posedoj kontratë me Bashkinë Çorovodë për objektin dhe ambientet përreth, si dhe kontratë me ADZM Berat për një pikë hyrje në kanion, me koordinata të miratuara. Megjithatë, personat në fjalë kanë zgjedhur pikërisht këtë hyrje, ndonëse mund të kishin akses 20 apo 50 metra më lart ose më poshtë – e gjitha me qëllim bllokimin e punës dhe prishjen e qetësisë së një aktiviteti që funksionon prej vitesh.

Më vjen thellësisht keq që një media si ju, me ndikim dhe ndjekës të shumtë, zgjodhi të publikojë një material të tillë, pa asnjë verifikim, pa më pyetur, dhe pa u interesuar për të vërtetën. Fëmijët e mi, familja ime, njerëz që punojnë me mua – të gjithë lexojnë e dëgjojnë ofendime të rënda, për një punë që është ndërtuar me sakrificë dhe dashuri.

Në këto 25 vite nuk kam marrë asgjë falas, çdo gjë është ngritur me djersë dhe punë të ndershme. Kanioni i Osumit, rafting-u, dhe turizmi i aventurës në Shqipëri janë bërë të njohur falë kësaj përpjekjeje. Kjo nuk është luftë për “monopol”, por betejë për të ruajtur një standard dhe për të mbrojtur atë që është ndërtuar me mund dhe sakrificë.

Ju uroj gjithçka të mirë, por një lajm që dëmton kështu, pa u verifikuar, pa u analizuar, është realisht një nga zhgënjimet më të mëdha të jetës sime. Le t’ia lëmë drejtësinë atij lart.

Faleminderit. Zamo Spathara President i Federatës Shqiptare të Raftingut Themues i Albania Rafting Group"

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit