Zhurma e mjeteve të rënda në orët e para të mëngjesit ka shkatërruar qetësinë e pushuesve në Qerret, ndërsa ndërtimet ilegale nuk ndalen pavarësisht gjobave dhe sezonit turistik.
Në zemër të sezonit turistik, Qerreti është kthyer në një kantier pa kontroll. Banorët dhe pushuesit denoncojnë punimet që zhvillohen pa orar dhe pa respekt për ligjin, duke nisur që nga ora 05:00 e mëngjesit.
Sipas denoncuesve, dy kompani ndërtimi – Horizont Blu dhe Bonita Konstruksion – janë kthyer në burim shqetësimi për të gjithë zonën. Zhurmat, pluhuri dhe lëvizjet e mjeteve të rënda kanë dëmtuar rëndë përvojën turistike.
Shumë pushues janë ankuar pranë banorëve, të cilët ndihen të pafuqishëm për t’u dhënë një përgjigje.
“Përshëndetje si jeni. Ju shkruaj nga Qerreti. Në Qerret siç e dini është bërë një gjullurdi e madhe me ndërtime. Zhurma e punimeve të rënda dëgjohet qysh në 5 të mëngjesit, kryesisht nga Horizont Blu që ndërtohet dhe Bonita Konstruksion, dhe janë ankuar shumë turistët, po nuk dimë ç’t’u themi. Punimet me ligj duhet të kishin ndaluar sepse ka filluar sezoni turistik gjasmë. T’u themi që shteti nuk ka forcë të ndalojë punimet edhe pse e promovon turizmin? Ju lutem denoncojeni sepse ne e kemi denoncuar në polici, i vendos 20 milion lekë gjobë dhe ata prapë vazhdojnë. Nuk kemi forcë si shtet të ndalojmë 10 hekurthyes dhe nuk dimë ç’të bëjmë, është për të vënë duart në kokë…” – shprehet qytetari në mesazhin e tij.
Pavarësisht ndërhyrjeve të policisë dhe gjobave prej 20 milionë lekësh, ndërtimet nuk janë ndalur. Shkeljet e hapura të ligjit kanë vazhduar sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke treguar një tolerancë të papranueshme institucionale.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shtetit ligjor në zona turistike. Si është e mundur që disa subjekte private sfidojnë ligjin hapur, edhe pas gjobitjeve dhe ankesave të përsëritura?
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur këtë katastrofë urbane. Në të kundërt, jo vetëm që dëmtohet imazhi i turizmit në Qerret, por forcohet bindja se ligji zbatohet vetëm për të dobëtit.
Ky është një apel për ndërhyrje serioze dhe të menjëhershme nga institucionet shtetërore, për të ndalur këtë kaos të lejuar dhe për të kthyer normalitetin në një prej zonave më të bukura bregdetare të vendit.