Një drejtues mjeti ka kryer disa manovra të rrezikshme në rrugë, duke mos respektuar askënd dhe duke sfiduar edhe praninë e policisë.
Një qytetar ka denoncuar një rast flagrant papërgjegjshmërie në trafik, ku një drejtues automjeti ka kryer disa parakalime të rrezikshme, duke vënë në rrezik jetën e të tjerëve në rrugë. Sipas dëshmitarit, shoferi nuk ka pasur asnjë respekt për rregullat, për automjetet e tjera, madje as për autoritetin e policisë.
Sipas denoncimit, automjeti ka kryer parakalime të njëpasnjëshme në mënyrë të pakontrolluar: në rrugë të ngushta, me mjete që vinin përballë dhe në një kryqëzim ku ndodhej edhe një efektiv i policisë rrugore. Pavarësisht pranisë së tij, shoferi ka vazhduar me sjelljen e tij agresive.
Qytetari e cilëson këtë drejtues si një “kamikaz rrugësh”, i cili, sipas tij, nuk e vlerëson jetën e askujt tjetër përveç vetes.
“Përshëndetje, doja t’ju njoftoja për një kamikaz rruge, se s’pyet jo për ne drejtuesit e mjeteve, po as për policinë. Parakalim, prerje rruge, parakalim duke pasur mjete përballë, parakalim në urë dhe njëkohësisht në kryqëzim ku kishte dhe polic rrugor. Është gjynah të rrezikosh jetën e të tjerëve kështu, pa llogaritur tënden se i ke bërë llogaritë”, shkruan denoncuesi.
Kjo ngjarje tregon një problem të përsëritur në rrugët e vendit, ku një pjesë e drejtuesve të mjeteve lëvizin pa asnjë përgjegjësi, duke sfiduar ligjin dhe duke e kthyer qarkullimin rrugor në një fushë rreziku të përditshëm.
Megjithëse në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një punonjës policie, duket se kjo nuk mjaftoi për të frenuar sjelljen e rrezikshme të shoferit. Kjo hedh hije dyshimi mbi rolin e zbatuesve të ligjit në terren dhe efektshmërinë e masave parandaluese.
Qytetarët kërkojnë që raste të tilla të mos kalojnë pa ndëshkim dhe që autoritetet të rrisin ndjeshëm kontrollet në akset rrugore për të parandaluar tragjeditë e mundshme që burojnë nga sjellje të tilla kriminale.