Banorët e dy pallateve Mineal 2L dhe Ana Costruksion në rrugën Përmeti të lagjes 14 në Astir, Tiranë po përballen prej më shumë se një dekade me një problem serioz. Ata kanë blerë garazhe funksionale në ndërtesat ku banojnë, rruga që të çon drejt tyre është bllokuar me llamarina nga disa pronarë të një ndërtese ngjitur.

Konflikti ka lindur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të vjetër midis ndërtuesve të pallateve dhe këtyre banorëve, të cilëve u ishte premtuar ndërtimi i një objekti në tokën e tyre, gjë që nuk u realizua. Pronarët e pallateve kanë përfunduar ndërtimin dhe janë larguar, duke lënë pas një situatë të pazgjidhur.

Denoncimi:
Pershendetje! Po ju shkruaj per nje problem. Ka 10 vite që kanë përfunduar dy pallatet Mineal 2L dhe Ana Costruksion dhe garazhdet e të dy pallateve janë jo funksional për arse se pronarët e pallateve kanë pasur një debat me disa pronar banesash ngjitur për arse se u kishin premtuar që do i merrnin tokën për pallat gjë e cila nuk u realizua. Nisur nga ky konflikt këta banorë kanë bllokuar me llamarina rrugën ekzistuese dhe nuk lejojnë njerzit të kalojnë po kështu edhe automjetet. Ndonësr ne kemi blerë garazhdet i kemi jo funksional për shkak të këtij konflikti të pronarve të pallatit dhe banorëve. Pronarët e pallatit kanë përfunduar pallatin kanë shitur pronën dhe tani nuk ka kush interesohet për këtë problematikë. Ne si banor i kemi dërguar ankesë institucioneve shtetërore si Bashkia Tiranë, IKMT, IMT, Policisë Bashkiake, policisë së shtetit, si dhe Tatimeve Tiranë pasi kjo rrugë përdoret nga këta banorë si parking ndonëse në dijenin tonë nuk kanë licencë. Duke qen se ka kaluar 10 vite problemi jonë nuk ka marrë një zgjidhje, menduam t'ju shkruanim juve nëse mund të na ndihmoni me këtë problem.

Banorët e prekur kanë dërguar ankesa të vazhdueshme në institucionet përgjegjëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës, IKMT-në, IMT-në, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit dhe Tatimet, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete.

Rruga është bllokuar pa leje dhe po përdoret si parking privat nga personat që e kanë zënë, ndonëse në dijeninë e tyre nuk disponojnë ndonjë licencë për këtë veprimtari. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të liruar hapësirën publike dhe për të rikthyer të drejtën e tyre për të përdorur garazhet që i kanë blerë me të drejtë.
