26-vjeçari, Elvis Ndoji, është dorëzuar në polici pas disa orësh nga ngjarja, ku ka plagosur me thikë një 44-vjeçar në qytetin e Sarandës. Sipas informacionit të ofruar, pas një mosmarrëveshje mes të rinjve, Ndoji ka goditur Klodjan Bashollin në rrugën “Mitat Hoxha”. 44-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet ka rezultuar se autori ka një histori të mëparshme kriminale, pasi ishte arrestuar më parë për vjedhje, ku gjatë arrestimit i’u gjetën armë të ftohta si thikë dhe sopatë. Ende mbetet e paqartë sesi ai ka arritur të lirohet kaq shpejt pas arrestimeve të mëparshme.
Në anën tjetër, i plagosuri, Klodjan Basholli, është një individ me të kaluar kriminale. Ai ka vuajtur një dënim prej 5 vitesh dhe 4 muajsh për trafikim ndërkombëtar droge, pasi ishte i përfshirë në një operacion të ndodhur në vitin 2008, ku u kap një ngarkesë e madhe droge në plazhin e Manastirit. Po ashtu, Basholli është arrestuar edhe në vitin 2017, kur u përfshi në një grup që kryente vjedhje në zonat kufitare të Shqipërisë dhe Greqisë, ku gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu armë zjarri.