Trotuari në rrugën “Kongresi i Manastirit” është i pakalueshëm, duke detyruar qytetarët me fëmijë të ecin në rrugë mes rrezikut për jetë.
Fatmirësisht, një aksident i rëndë u shmang sot në rrugën “Kongresi i Manastirit”, segmenti nga Qendra Spitalore Universitare drejt zonës së Oxhakut, ku një karrocë me fëmijë u detyrua të lëvizte në rrugë për shkak të bllokimit të trotuarit.
Qytetarët që kalojnë çdo ditë në këtë zonë përballen me një realitet të rrezikshëm: trotuari është tërësisht i pamundur për t’u përdorur, veçanërisht nga prindërit me karroca për fëmijë apo persona me aftësi të kufizuara.
Pavarësisht se autoritetet po merren me heqjen e strehave të lokaleve në zona të tjera, në këtë rrugë nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për të siguruar një kalim të sigurt për këmbësorët. Mbi të gjitha, janë lënë karriget dhe tavolinat që pushtojnë çdo hapësirë publike.
"Mirëmbrëma, Fatmirësisht sot është shmangur një aksident në rrugën Kongresi i Manastirit, nga QSUT që shkon te Oxhaku."
"Karrocat me fëmijë janë të pamundura të kalojnë në trotuar pasi është totalisht i pakalueshëm. Ndërkohë shteti po merret me strehat e lokaleve dhe po lë karriget. Në këtë rrugë nuk po bën asnjë zgjidhje për kalimtarët. Kemi telefonuar organet përkatëse për këtë problem dhe nuk është marrë asnjë masë. Ju lutem, publikojeni dhe të shpresojmë se do merret ndonjë masë, ose të bëhet trotuar shtesë nga krahu tjetër."
Banorët thonë se kanë telefonuar institucionet përkatëse dhe kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë, duke e shtuar rrezikun për një tragjedi të paralajmëruar.
Në mungesë të reagimit institucional, qytetarët i bëjnë thirrje autoriteteve që të marrin parasysh mundësinë e ndërtimit të një trotuari alternativ në krahun tjetër të rrugës, si një zgjidhje emergjente për të garantuar sigurinë publike.
Shpresa e vetme e banorëve, në këtë situatë të papërgjegjshme, është sensibilizimi përmes publikimit të këtij shqetësimi. Ndërkohë, përditshmëria në rrugën “Kongresi i Manastirit” mbetet një betejë për mbijetesë mes trotuareve të pushtuara dhe rrugëve të rrezikshme.