Një tiktoker i njohur u kap duke i mësuar një turisti të huaj të ndoste ambientin, ndërsa qytetarët reagojnë me zemërim dhe ironi.
Shkëlqim Prini, i njohur në rrjet si “Servis Universal Çimi”, ka reaguar ashpër ndaj një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku një tiktoker shqiptar i njohur shfaqet duke inkurajuar një turist të huaj të hedhë mbeturina nga dritarja e makinës. Prini e cilëson këtë sjellje si një turp për vendin dhe një shembull negativ që i jepet brezit të ri.
Në një video të publikuar në Instagram, ai tregon se sapo ishte kthyer nga plazhi dhe pa pamjet skandaloze në profilin e “Jeta Osh Qef”. Me një ton ironik dhe të zemëruar, ai i drejtohet ndjekësve të tij dhe fëmijëve të vet, duke e kthyer situatën në një mësim për edukimin qytetar dhe mbrojtjen e ambientit.
“Ja pra miqtë e mi, siç po shikoni sapo kemi ardhur nga plazhi, sapo hyra në Instagram dhe pashë te Jeta Osh Qef, një djalë, një tiktoker të famshëm, shqiptar, ku nxitëte turistët e huaj të hidhte mbetje, të hidhte bidona nga dritarja. Tani unë kam tre vajza dhe një djalë, çfarë ju ka thënë babi juve në lidhje me atë që konsumoni brenda në makinë?”
Fëmija: “Plehrat mos me i hedh nga dritarja, me i fut me një qese dhe me i çu në kosh.” “Domethënë ‘Servis Universal Çimi’, ky djalë që shihni, ky shëmtirë që shihni këtu, se shumë veta më thonë: ‘O Çimo sa i shëmtuar je.’ Shoku im, nuk është pamja e jashtme që të bën burrë, të bën të kesh harmoni në veten tënde, apo në familjen tënde, apo në shoqëri. Është ky lloj gjesti që ka shumë njerëz që e suportojnë, dhe çfarë po suporton, çfarë po shpërndan ai lloj njeriu? Jo vetëm ky djalë që ka bërë këtë skandal dhe është gjobitur me 1 milion lekë. Ai 1 milion lekë do i nxjerrë nesër dhe do bëjë punën që bën, por jeni edhe ju që e suportoni.”
“Dhe kur thotë ‘Servis Universal Çimi gjuni naj karafil’, thoni: ‘Mos u bo edhe ti Çim lypes TikTok-u.’ Atë karafil që ti gjuan, unë e investoj te fëmija, te sporti, te mesazhet.”
Ai kritikon rëndë ndjekësit që mbështesin sjellje të tilla në rrjete sociale, duke theksuar se ky është problemi i vërtetë: jo vetëm individi që e bën veprimin, por edhe masa që e përkrah dhe e shpërblen. “Ai do e paguajë gjobën prej 1 milion lekësh, por nesër do dalë sërish dhe do vazhdojë të bëjë të njëjtin teatër për ndjekje,” thotë ai.
Prini u bën thirrje ndjekësve të mos e mbështesin këtë lloj përmbajtjeje dhe të mos bien pre e karshillëqeve për famë. Ai e mbyll mesazhin me një batutë thumbuese: “Mos më thoni edhe mua lypes i TikTok-ut. Unë karafilin që më hidhni e investoj tek fëmija, tek sporti, tek mesazhi.”
Ngjarja u përmbyll me ndalimin e tiktokerit nga autoritetet, pas publikimit të pamjeve ku ai nxit ndotjen e mjedisit. Reagimi publik ka qenë i ashpër dhe shumë qytetarë kërkojnë që raste të tilla të mos kalojnë pa pasoja. Skandalet e këtij lloji po dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe promovojnë një kulturë të papërgjegjshme në rrjetet sociale.