Në rrugën e Ujësjellësit në Durrës, këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë pasi trotuaret janë të pushtuara nga makina të parkuara keq.
Një qytetar nga Durrësi ka ngritur një shqetësim të përsëritur që lidhet me bllokimin e trotuarit në rrugën e Ujësjellësit. Çdo ditë, sipas tij, makinat parkohen sipër trotuarit duke e kthyer atë në të pakalueshëm për këmbësorët.
Për pasojë, qytetarët, përfshirë të moshuar dhe fëmijë, janë të detyruar të ecin mbi rrugë, përballë rrezikut të përplasjes nga automjetet në qarkullim. Kjo situatë, që është kthyer në një normë të padurueshme për banorët, nuk po gjen asnjë zgjidhje.
Denoncuesi thekson se ka kontaktuar disa herë me Policinë Bashkiake të Durrësit, por reagimi ka qenë zhgënjyes. Zyrtarët kanë deklaruar se mundësitë e tyre janë të kufizuara dhe se “nuk kanë çfarë të bëjnë më shumë veçse vendosjes së gjobave”.
"Përshëndetje JOQ. Ju lutem, mesazhi nëse e publikoni, të jetë anonim. Dua të ndaj një shqetësim në qytetin e Durrësit. Gati përditë, rruga e Ujësjellësit është e bllokuar në trotuar, pasi njerëzit parkojnë makinat sipër dhe ne këmbësorët jemi të detyruar të ecim në rrugë. Kam kontaktuar disa herë policinë bashkiake të Durrësit dhe përgjigjja ka qenë se ata më shumë se të vënë gjoba, s’kanë çfarë të bëjnë. Gjendja tashmë është bërë shqetësuese, pasi nuk mund të ndërhyjnë kur të na përplasë ndonjë makinë nga mungesa e hapësirave në trotuar. Faleminderit. Po ju nis dhe videon."
Mosveprimi i autoriteteve ka rritur pasigurinë tek qytetarët, të cilët ndihen të pambrojtur në përballje me këtë fenomen të përditshëm. Ata kërkojnë masa të menjëhershme për të liruar trotuaret dhe për të rikthyer sigurinë për kalimtarët.
Ky problem i thjeshtë, por jetik, po injorohet nga institucionet lokale që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët dhe të garantojnë rendin urban. Situata, në mungesë të ndërhyrjes, po shndërrohet në një kërcënim serioz për jetën dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Qytetari ka përcjellë gjithashtu edhe videon, si dëshmi vizuale e shkeljes së hapësirës publike, duke shpresuar që denoncimi të ngrejë vetëdijen dhe të nxisë reagim institucional.