Prej katër ditësh, në zonën e Shupenzës po digjen pyje pa asnjë ndërhyrje, ndërsa autoritetet vazhdojnë të heshtin përballë situatës alarmante.
Prej më shumë se katër ditësh, një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Shupenzës duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar apo ndërhyrje nga strukturat përgjegjëse.
Banorët lokalë kanë ngritur alarmin, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët. Në një kohë kur temperaturat janë të larta dhe thatësira e bën situatën më të rrezikshme, mungesa e ndërhyrjes sa vjen e rëndon dëmet mjedisore.
Nuk dihet saktësisht sa hektarë pyje janë përfshirë nga flakët, por dëmet tashmë janë të dukshme edhe nga larg. Zjarri po përhapet me shpejtësi, duke përfshirë bimësi të dendur dhe një faunë të pasur që rrezikon të zhduket.
"Përshëndetje JOQ, ky zjarr ka 4 ditë që është aktiv në zonën e Shupenzës. Nuk ka asnjë ndërhyrje, nuk dihet sa hektarë pyje janë djegur. Bëjeni publike ju lutem se gjynah pyjet."
Një tjetër problem shqetësues është mungesa totale e informacionit zyrtar. As Bashkia, as Emergjencat Civile, e as strukturat pyjore nuk kanë dhënë ndonjë njoftim apo plan ndërhyrjeje. Kjo heshtje është aq tragjike sa edhe vetë zjarri që shkatërron pasurinë natyrore.
Mungesa e reagimit po shihet si një tjetër tregues i dështimit institucional për të mbrojtur mjedisin. Qytetarët kanë mbetur të vetëm, të braktisur përballë një fatkeqësie që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Pyjet në zonën e Shupenzës janë një pasuri kombëtare, e jo një statistikë që mund të fshihet. Nëse ky zjarr nuk ndalet, atëherë nuk do digjen vetëm pemët, por edhe vetë shpresa e mbrojtjes së natyrës shqiptare.