Izraeli ka ndërmarrë një sulm ajror të drejtpërdrejtë në kryeqytetin sirian Damask, duke goditur Sheshin Umajad dhe objektivin kryesor të tij, Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë. Sulmi ndodhi live në transmetim televiziv, duke lënë pas skena paniku dhe pasiguri të thellë.
Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale tregojnë shpërthime të fuqishme në zemër të Damaskut, ndërkohë që sirenat e emergjencës dëgjohen në sfond. Sipas raportimeve të para, bëhet fjalë për disa viktima dhe të plagosur, por deri në këto momente nuk ka ende një bilanc zyrtar të dëmeve materiale apo humbjeve në njerëz.
Sheshi Umajad është një ndër zonat më të rëndësishme dhe të njohura të Damaskut, ndërsa goditja e Ministrisë së Mbrojtjes konsiderohet një zhvillim jashtëzakonisht serioz në përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe forcave të lidhura me Iranin që operojnë në Siri.
Nuk është hera e parë që Izraeli ndërmerr sulme ndaj objektivave ushtarake në Siri, por kjo është një nga herët e rralla kur një ndërhyrje ndodh në një zonë kaq qendrore dhe transmetohet në kohë reale. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar ende publikisht mbi këtë operacion, ndërsa pala siriane nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare.
Ngjarja është në zhvillim, dhe priten reagime të forta nga Damasku dhe aleatët e tij.