Nga masë sigurie për falsifikime, Aida Demi shpërblehet me post drejtues në Portin e Sarandës, në sfidë të hapur me ligjin dhe moralin publik.
Me shumë pompozitet, Edi Rama shpalli fillimin e një reforme për pastrimin e administratës nga zyrtarët e paaftë dhe të korruptuar. Por ndërsa fjalët tingëllonin si fillim i një epoke të re, veprimet në terren treguan të kundërtën. Në Portin e Sarandës, rikthehet në krye Aida Demi, një figurë e njohur jo për arritje profesionale, por për përfshirje në skandale të rënda me legalizime fiktive.
Dikur drejtoreshë e Kadastrës dhe më herët në Bashkinë e Sarandës, Aida Demi ka qenë nën hetim penal për legalizim objektesh me dokumente të falsifikuara. Gjykata vendosi ndaj saj masën “detyrim paraqitje”, ndërsa disa prej kolegëve të saj përfunduan në arrest shtëpie. Sot, e njëjta Aida ngjitet sërish në krye, këtë herë si drejtoreshë e Portit të Sarandës, një nga pikat më strategjike ekonomike të qytetit.
Emërimi i saj pas një fushate propagandistike për "spastrimin e administratës" ngjall revoltë dhe ironi. Sepse, në vend të një fryme të re dhe ndershmërie, qytetarëve iu ofrua rikthimi i personazheve të përfolur, me të njëjtat praktika të diskredituara dhe me të njëjtat lidhje partiake.
Burime nga Saranda flasin për një sistem të mirëorganizuar politik, ku vendimet nuk merren mbi bazë merite, por përmes patronazhimit dhe bindjes ndaj partisë. Aida Demi përshkruhet si një ndër patronazhistet më të zellshme të PS në zonë, çka, duket, e ka shpërblyer me zyrë të re, tendera dhe një pushtet të konsiderueshëm institucional.
Ironia është therëse: një person që ka qenë nën hetim për ndërtime pa leje dhe abuzim me tokën, tashmë ka në dorë vetë detin. Nga një akuzuese për ndërtim ilegal mbi vijën bregdetare, në kontrolluese të ngarkesave në port, historia e saj është dëshmi e qartë se korrupsioni në Shqipëri nuk dënohet – thjesht rotullohet nga një karrige në tjetrën.
Kjo histori është vetëm një shembull i shfaqjes së zakonshme që i ofrohet publikut: një “reformë” për kamerat, ndërsa prapa skenës, ndodh riciklimi i së njëjtës elite politike e komprometuar. Në vend të ndëshkimit të të korruptuarve, kemi ristrukturimin e korrupsionit në poste të reja e më të fuqishme.
Në fund, kjo nuk është thjesht histori e një emërimi të korruptuar, por një tablo e qartë e mënyrës si funksionon shteti: teksa qytetarët kërkojnë drejtësi, hienat e qeverisë gllabërojnë një nga një postet drejtuese, duke ndarë pushtetin mes tyre si në një darkë mbi kockat e administratës publike.