Një lajm i trishtë ka goditur skenën muzikore dhe komunitetin artistik të Gjakovës. Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit të njohur muzikor Ashikët, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të madh në artin dhe kulturën muzikore shqiptare.
Lajmi për vdekjen e Pallaskës erdhi në momentin kur Radio Gjakova po përgatitej për emisionin e natës së nesërme, pikërisht me grupin “Ashikët”. Ai ishte një emër me peshë në skenën muzikore, i njohur për përkushtimin, pasionin dhe ndikimin e tij të madh në ruajtjen dhe promovimin e këngës qytetare shqiptare.
Nën drejtimin e tij, grupi Ashikët realizoi 12 projekte muzikore, duke interpretuar me mjeshtëri këngë të bukura qytetare nga të gjitha trojet shqiptare. I përbërë kryesisht nga muzikantë të moshës së tretë, por me një shpirt rinor e të pashuar për muzikën, “Ashikët” u shndërruan në një simbol të dashurisë për artin dhe traditën.
Shefik Pallaska ishte edhe anëtar i hershëm i Korit të Burrave të Gjakovës, dhe për dekada me radhë dha kontribut të paçmueshëm në organizimin e koncerteve, festivaleve, mbrëmjeve artistike, duke shndërruar grupin e tij në ikonë të Çarshisë së Madhe të Gjakovës, aty ku shpesh shpërndanin tingujt e ëmbël të këngës qytetare.
Për nder të figurës së tij, nesër më 17 korrik, në orën 12:00, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet po nesër në orën 17:00.
Radio Gjakova, me dhimbje të thellë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Pallaska, miqve, kolegëve dhe të gjithë dashamirësve të muzikës qytetare shqiptare.