Turi i një kukulle të mbështjellë me legjenda paranormale në Gettysburg përfundoi në tragjedi pas ndarjes së papritur nga jeta të një prej organizatorëve kryesorë të turit kombëtar.
Turi i Kukullës Anabelle, e famshme për lidhjet e saj me botën paranormale përfundoi në mënyrë tragjike këtë fundjavë, pasi një nga organizatorët kryesorë të turit kombëtar ndërroi jetë papritur.
Dan Rivera, 54 vjeç, hetuesi kryesor i shoqatës, veteran i Ushtrisë Amerikane, ndërroi jetë papritur të dielën, më 13 korrik 2025, gjatë vizitës së tij në Gettysburg, sipas një njoftimi të bërë publik të hënën në mbrëmje.
Rivera ishte një nga figurat kryesore të turit të njohur “Devils on the Run”, ku ai dhe anëtarë të tjerë të shoqatës udhëtuan nëpër vend me kukullën famëkeqe Annabelle, e përfolur për energjinë e saj të errët dhe të mbinatyrshme.
Sipas regjistrimeve të radios së urgjencës së qarkut Adams, shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet mjekësore u thirrën në hotelib në Gettysburg ku ai po qëndronte, pas orës 20:00 të së dielës, pas një raportimi se Riverës po i kryhej CPR.
Mjeku ligjor i qarkut Adams, Francis Dutrow, konfirmoi për gazetën Evening Sun se shkaku i vdekjes së Riverës mbetet i panjohur dhe pritet të zbulohet pas autopsisë. Rezultatet përfundimtare mund të duan disa muaj.
Në deklarata të mëtejshme, mjekët ligjorë thanë se vdekja nuk dukej të ishte e dyshimtë dhe se Rivera ishte gjetur i vetëm në dhomën e tij të hotelit. Policia e Shtetit të Pensilvanisë dhe zyra e mjekut ligjor reaguan menjëherë për të nisur hetimin.
Sipas faqes zyrtare të zyrës së mjekut ligjor, çdo vdekje e papritur, e dyshimtë, e dhunshme apo e pashpjegueshme në qarkun Adams është subjekt hetimi. Po ashtu, bëhen hetime edhe kur një person vdes në mënyrë të papritur pa histori të njohur mjekësore apo nuk është nën kujdes të një mjeku.
Ndalesa në Gettysburg e turit, e organizuar në jetimoren “Soldiers National” nga Ghostly Images of Gettysburg Tours, rezultoi një sukses i plotë. Organizatorët raportuan se u shitën mbi 1,260 bileta gjatë tre ditëve të fundjavës që nisi të premten, më 11 korrik 2025, dhe përfundoi të dielën pasdite.
Rivera pati një rol të rëndësishëm në promovimin e turit në nivel ndërkombëtar përmes pranisë së tij në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku publikoi video virale në bashkëpunim me hetuesin e ngjarjeve paranormale, Ryan Daniel Buell. Videot tërhoqën miliona shikime teksa kukulla udhëtonte nëpër Shtetet e Bashkuara.
Turi kishte fituar shumë vëmendje mediatike muajt e fundit, duke ngjallur edhe polemika në disa qytete për shkak të supersticioneve dhe historisë së errët që rrethon kukullën Annabelle.