Prej më shumë se dy orësh, Përmeti përballet me një ndotje të rëndë ajri për shkak të djegies së plehrave nga bashkia në orare të pazakonta.
Në orën 20:00 të mbrëmjes, një mjegull e dendur dhe një erë e rëndë e djegies së mbetjeve ka mbuluar të gjithë qytetin e Përmetit. Sipas denoncimeve nga banorët, bëhet fjalë për një praktikë të përhershme të djegies së plehrave që është kthyer në normë, megjithëse në kushte që rrezikojnë seriozisht shëndetin publik.
Një qytetar denoncon përmes redaksisë së JOQ se kjo ndotje është arsyeja kryesore për rritjen e rasteve me sëmundje të rënda dhe kancerogjene në qytet. Ai thekson se për më shumë se dy orë ajri është bërë i papërballueshëm, duke u mbushur me tym të zi që të detyron të mbyllësh dritaret edhe në kulmin e vapës së korrikut.
Banorët pohojnë se djegia e mbetjeve është një veprim i qëllimshëm i bashkisë, e cila zakonisht e kryen këtë proces herët në mëngjes, rreth orës 6, me shpresën që era ta shpërndajë ndotjen para se qyteti të zgjohet. Por kësaj here, djegia është kryer gjatë ditës dhe efektet janë ndjerë në të gjitha lagjet.
"Përshëndetje. Bashkia i djeg, janë plehrat e qytetit. Ka vite që ndodh, por zakonisht herët në mëngjes, rreth orës 6. Sot është ditës dhe ndjehet era kudo, është shumë e fortë."
"Ora 8 e darkës dhe mjegulla po pushton qytetin e Përmetit. Ka rreth dy orë që gjithë qyteti vjen erë e djegur për shkak të djegies së plehrave. Kjo shpjegon qartë numrin e lartë të rasteve të sëmundjeve të rënda dhe kancerogjene në këtë qytet. Anonim, të lutem."
Era e fortë që mbart tymrat toksikë e ka bërë situatën më të rëndë, duke e përhapur erën e djegies në të gjithë territorin e qytetit. Qytetarët thonë se ndihen të braktisur nga institucionet dhe se askush nuk mban përgjegjësi për këtë ndotje të qëllimshme të ajrit që thithin çdo ditë.
Edhe pse shqetësimet për këtë praktikë janë ngritur prej vitesh, askush nuk ka ndërmarrë masa për t’i dhënë fund këtij fenomeni që rrezikon jetën e përditshme të banorëve. Në vend të një sistemi menaxhimi modern për mbetjet urbane, qyteti ndodhet përballë një zgjidhjeje primitive dhe të rrezikshme: djegia.
Qytetarët kërkojnë që autoritetet lokale dhe qendrore të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar këtë krim mjedisor, i cili mund të ketë pasoja afatgjata jo vetëm për shëndetin, por edhe për reputacionin e qytetit si një zonë turistike. Heshtja institucionale nuk duhet të mbulojë më këtë skandal.