Në lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, janë shoqëruar disa persona, përfshirë dy të dyshuarit kryesorë, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, të cilët ishin shpallur në kërkim më herët. Po ashtu, janë shpallur në kërkim edhe dy individë të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në kryerjen e krimit. Hetimet janë zgjeruar për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, e cila përfshin një vrasje të tmerrshme dhe misterioze.
Renis Dobra, i cili u zhduk më 8 korrik, u gjet pa jetë mëngjesin e 9 korrikut, pranë liqenit të Shkopetit në fshatin Madhesh. Hetuesit kanë zbuluar se ai ishte dhunuar dhe mbytur me litar para se trupi të hidhej në liqen, bashkë me makinën me të cilën udhëtonte. Kërkimet intensive të familjarëve dhe të policisë i dhanë fund misterit për vendndodhjen e tij.
Një ndër të dyshuarit kryesorë, Petrit Çakrri, ka një histori të gjatë kriminale. Ai është njohur si një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, në vitin 1998. Çakrri ka pasur më parë disa procedura të shumta penale, duke përfshirë vjedhje dhe përplasje me policinë. Në vitin 2017, ai u arrestua për mashtrim të rëndë ndaj një biznesmeni nga Vora, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash me premtimin për të siguruar mallra me çmime më të ulëta. Hetimet për vrasjen e Dobrës zbuluan se ai kishte marrë me qira dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Honda të bardhë, që u përdorën gjatë krimit. Pas ngjarjes, Çakrri u arratis jashtë Shqipërisë dhe besohet se ka kaluar kufirin në pikën e kalimit të Morinës.