E mbytën dhe e hodhën në liqen, arrestohen vrasësit e Renis Dobrës në Shkopet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.07.2025, 08:12

Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy nga autorët e dyshuar për vrasjen makabre të 22-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut në zonën e Shkopetit, Mat.

Të arrestuarit janë identifikuar si Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka. Çakrri u ndalua në Lekbibaj të Tropojës, ndërsa Bushgjoka në Tiranë. Ata ndodhen aktualisht në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ndërkohë që dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve paraprake, Renis Dobra po kthehej në banesë dhe ndodhej vetëm 5 minuta larg shtëpisë kur u rrëmbye. Ai u dhunua dhe më pas u mbyt me litar. Autorët më pas hodhën trupin e pajetë së bashku me makinën në liqenin e Shkopetit. Trupi i të riut dyshohet se ka dalë nga automjeti gjatë rrokullisjes dhe u gjet mëngjesin e 9 korrikut nga familjarët gjatë kërkimeve.

Një prej personave të arrestuar, Petrit Çakrri, është emër i njohur për drejtësinë. Ai ka qenë dëshmitar okular në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari në vitin 1998. Çakrri, i cili dyshohet se ka ndryshuar mbiemrin në Petrit Hoxha pas daljes së fundit nga burgu, ka një histori të gjatë penalitetesh që përfshin mashtrime, vjedhje dhe përplasje me policinë.

Hetuesit kanë zbuluar se ai kishte marrë me qira dy automjete në Rinas – një Range Rover të zi dhe një Honda të bardhë – të cilat dyshohet se janë përdorur në krim. Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dhe sistemi GPS i një prej automjeteve kanë ndihmuar në ndërtimin e itinerarit të autorëve dhe lidhjen e tyre me ngjarjen.

Policia ka ndaluar gjithashtu nipin e Petrit Çakrrit, ndërsa i është sekuestruar telefoni celular, ku besohet se ndodhen prova të rëndësishme që mund të hedhin më shumë dritë mbi motivin dhe detajet e krimit.

Grupi hetimor vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes që ka tronditur opinionin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit