Lulishtja pranë bunkerit muzeal në Sarandë është kthyer në një fast food të paligjshëm, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe në shkelje të çdo rregulli higjiene.
Ndërsa kryeministri bën thirrje për lirimin e hapësirave publike dhe luftën ndaj zaptimit, në Sarandë ndodh e kundërta: një lulishte publike është zaptuar hapur, duke u kthyer në një fast food pa asnjë standard sanitar.
Skandali është i dyfishtë. Jo vetëm që hapësira publike shfrytëzohet në mënyrë të paligjshme, por kjo ndodh me miratimin e heshtur të strukturave shtetërore. Policia bashkiake, drejtoria e shërbimeve dhe vetë AKU-ja, që duhet të garantonin ligjin dhe pastërtinë ushqimore, nuk reagojnë.
Ky abuzim ndodh mu në zemër të Sarandës. Rruga nr. 1, ngjitur me bunkerin e kthyer në muze dhe një nga pikat më të vizituara nga turistët, është shndërruar në një zonë me ndotje, zhurmë dhe mungesë të plotë kontrolli institucional.
"Përshëndetje JOQ,
Ndërkohë që Kryeministri flet për zaptimin e hapësirave publike, në Sarandë zaptohet lulishtja me bekimin e funksionarëve dhe bëhet fast food, pa kushtet më minimale të higjienës. Policia bashkiake dhe Drejtoria e Shërbimeve dhe AKU heshtin." "Në shkallët kryesore të qytetit, rruga e parë ngjitur me bunkerin që është kthyer në muze ku mijëra turistë bëjnë foto çdo ditë, marrëzia dhe pisllëku po lulëzojnë dita-ditës. Më shumë kemi shpresë te ju për zgjidhjen e problemeve sesa te institucionet përkatëse."
Çdo ditë, mijëra vizitorë fotografojnë bunkerin dhe panoramën e qytetit. Por ajo që përballen është një pamje që turpëron: mbeturina, erë e rëndë dhe papastërti, në një qytet që pretendon të jetë destinacion turistik.
Institucionet që duhet të ndëshkojnë zaptuesit e hapësirave publike kanë zgjedhur të heshtin, duke i lënë qytetarët dhe turistët në mëshirë të abuzuesve. Heshtja është e barabartë me bashkëpunim.
Në një klimë të tillë abuzimi, qytetarët nuk kanë më besim te autoritetet, por u drejtohen JOQ dhe platformës tonë të denoncimit, si shpresa e fundit për të ndalur këtë degradim.