Kisha në ishullin e Shurdhahut rrezikon të zhduket mes indiferencës shtetërore

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 15.07.2025, 19:55

Kisha e vetme që ka mbetur në ishullin e Shurdhahut në Shkodër po rrënohet çdo ditë, ndërsa institucionet që promovojnë zonën heshtin përballë shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.

Ishulli i Shurdhahut, i njohur për 365 altarët dhe qindra kishat që dikur mbulonin këtë truall të shenjtë, sot është një hije e vetes. Vizitohet çdo ditë nga qindra turistë vendas e të huaj përmes fshatit Rragam, por ajo çka gjejnë janë vetëm rrënoja dhe një kishë e vetme që po shembet dalëngadalë përpara syve të të gjithëve.

Pavarësisht promovimeve të vazhdueshme që bëhen nga Bashkia Shkodër dhe institucionet e turizmit, ndërhyrja për restaurim është zero. Kisha që ka mbijetuar deri më sot, është në prag të shembjes për shkak të mungesës së çdo kujdesi institucional. Ajo që dikur përfaqësonte lavdinë shpirtërore të zonës, tani është kthyer në një dëshmi të rrënimit dhe braktisjes.

Turistët që vijnë nga e gjithë bota për të parë këtë monument historik të rrallë, largohen të zhgënjyer nga pamja dramatike që i pret. Mbeturinat, gërmadhat dhe një ndjenjë e thellë braktisjeje e përshkojnë të gjithë përvojën.

"Përshëndetje JOQ! Kjo është kisha e Shurdhahut, një ishull i ndodhur në Shkodër që po vizitohet çdo ditë nga qindra turistë nëpërmjet fshatit Rragam. Ishulli i Shurdhahut njihet si ishulli i 365 altareve. Ka qenë i mbushur plot me kisha e altare, ku kanë ngelur vetëm rrënojat, dhe ka ngelur vetëm një kishë akoma pa u shembur, por që po rrënohet dita-ditës. Edhe pse turistët vijnë nga e gjithë bota për ta vizituar këtë kishë qindra vjeçare, shteti nuk ka vënë asnjëherë dorë mbi të. Publikojeni ju lutem. Faleminderit!"

"Ju kam dërguar mjaftueshëm foto, besoj, për të kuptuar si është gjendja e kishës. Ishulli promovohet shumë shpesh nga Bashkia Shkodër, por s’vihet kurrë dorë mbi pasuritë kulturore."

Ishulli i Shurdhahut ka vlera unike historike, arkeologjike dhe kulturore që duhet të ishin pjesë e një strategjie të mirëfilltë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare. Në vend të kësaj, qeveria lokale dhe ajo qendrore kanë zgjedhur të kthejnë kokën nga ana tjetër, duke lënë pasurinë tonë kulturore në mëshirë të kohës dhe natyrës.

Ky është një tjetër rast ku propaganda për turizmin kulturor nuk përputhet aspak me realitetin në terren. Aty ku duhej investuar për të ruajtur identitetin tonë historik, është zgjedhur heshtja dhe harresa.

Publikimi i fotove nga qytetarët, që tregojnë gjendjen e mjerueshme të kishës së Shurdhahut, është një thirrje e fortë për ndërgjegjësim. Nëse nuk veprohet tani, shumë shpejt do të humbasim edhe atë që ka mbetur nga një nga thesaret më të vyera të Shqipërisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit