Putin indiferent ndaj kërcënimeve të Trump: Rusia s’tërhiqet nga Ukraina, synon më shumë territore

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.07.2025, 19:42

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të tërhiqet nga lufta në Ukrainë, pavarësisht presionit dhe paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për sanksione të reja dhe taksa ndaj Rusisë, raportojnë burime pranë Kremlinit për agjencinë Reuters.

Sipas tre burimeve të afërta me qeverinë ruse, Putin beson se ekonomia dhe ushtria ruse janë mjaftueshëm të forta për të përballuar çdo masë të re nga Perëndimi. Ai nuk do të ndalet derisa Perëndimi të ulet në tryezën e bisedimeve sipas kushteve të tij.

Trump, i cili është rikthyer në pushtet këtë janar, ka shprehur zhgënjim për refuzimin e Putinit për një armëpushim dhe ka njoftuar furnizime të reja me armë për Ukrainën, përfshirë raketat “Patriot”. Ai ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditëve.

Putin kërkon disa kushte për paqe: një marrëveshje ligjore që NATO të mos zgjerohet drejt lindjes, neutralitet të Ukrainës, mbrojtje për rusishtfolësit dhe njohje të territorit që Rusia ka marrë deri tani.

Aktualisht, Rusia kontrollon pothuajse 20% të territorit të Ukrainës dhe vetëm në tre muajt e fundit ka avancuar rreth 1400 km katrorë. Burimet thonë se nëse forcat ukrainase bien, Putin mund të kërkojë edhe më shumë territore si Dnipropetrovsk, Sumy dhe Kharkiv.

Ndërkohë, Trump ka bërë disa telefonata me Putinin dhe ka tentuar të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, ndërsa ka tërhequr mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe ka lënë të hapur mundësinë për njohjen e aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Putini e konsideron këtë luftë si një moment kyç për të rivendosur ndikimin e humbur të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ndërsa burimet sugjerojnë se tensionet me SHBA-në mund të përshkallëzohen më tej në muajt në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit