330 milionë lekë për pastrimin e Kavajës, Arbër Abazi gllabëron tenderin e radhës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.07.2025, 19:04

Në Bashkinë e Kavajës është firmosur një tjetër kontratë publike që ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 329 milionë lekë pa TVSH, i fituar nga kompania “Alko Impex Construction”, e lidhur drejtpërdrejt me biznesmenin Arbër Abazi, një figurë që ka dalë vazhdimisht në sipërfaqe për përfitime të dyshimta nga fondet publike në nivel vendor.

Tenderi, i regjistruar me referencën REF-47662-05-13-2025, kishte si objekt pastrimin dhe fshirjen e rrugëve të qytetit për një periudhë 60-mujore. Dokumentet tregojnë se oferta fituese e “Alko Impex” ishte thuajse identike me fondin limit, ndërkohë që dy kompanitë e tjera pjesëmarrëse, “Fusha” shpk dhe “Rej” shpk, paraqitën çmime vetëm pak më të larta. Më konkretisht, “Alko Impex” ofroi 329,167,492.87 lekë, ndërsa “Fusha” 330,067,101 lekë dhe “Rej” 330,437,260.88 lekë. Diferencat janë aq të vogla, sa krijohet përshtypja e një gare të simuluar, ku fituesi është vendosur përpara se të hapej zarfet.

Edhe më shqetësues është fakti se “Alko Impex” nuk ka deklaruar asnjë subjekt mbështetës, çka ngre dyshime serioze mbi kapacitetin real të kompanisë për të përballuar një kontratë të tillë në përmasa dhe kohëzgjatje. Në dosjen e tenderit mungon çdo shpjegim mbi arsyet pse kjo kompani është shpallur si më e favorshmja ekonomikisht, duke qenë se oferta e saj nuk është as më e lirë në mënyrë domethënëse, as e shoqëruar me kritere të tjera si cilësia, eksperienca apo kapaciteti teknik.

Arbër Abazi, megjithëse jo figurë publike në politikë, është përmendur vazhdimisht për lidhjet e tij me pushtetin vendor dhe përfitimin e kontratave publike në mënyrë të përsëritur. Në Bashkinë e Kavajës, kjo nuk është hera e parë që kompania e tij përfiton fonde të mëdha përmes tenderëve të tillë, ndërsa nga ana e bashkisë nuk ka pasur kurrë sqarime mbi kriteret e përzgjedhjes dhe as ndonjë reagim ndaj akuzave për mungesë transparence.

Ky rast është një ilustrim i pastër i modelit që po përhapet në shumë bashki të vendit. Gara fiktive, diferenca minimale midis ofertave, mungesë kriteresh reale dhe përfundimisht shpallja e një fituesi që duket i paracaktuar. Qytetarët vazhdojnë të paguajnë për shërbime që shpesh nuk kryhen siç duhet, ndërsa tenderat mbeten mënyra më e qetë për të ricikluar paratë publike drejt duarve të njohura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit